Sava Janjiq - Foto: Kallxo.com

Kurti i kërkon dialog Sava Janjiqit, kryemurgut të Manastirit të Deçanit

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti i ka dërguar një letër kryemurgut të Manastirit të Deçanit, Sava Janjiqit, duke i bërë kështu kërkesë për ta vizituar Manastirin e Deçanit.

Mirëpo, kryeministri Kurti ende nuk ka marrë përgjigje nga Sava Janjiq.

Lajmin e ka bërë të ditur, Ministri i Kulturës, Rinisë dhe Sportit, Hajrulla Çeku përmes një postimi në Facebook.

Sipas Çekut, Dialogu me klerikët ortodoksë në Kosovë është rruga e vetme për zgjidhje të qëndrueshme.

Lexoni postimin e plotw tw ministrit Hajrulla Çeku:

Qeveria e Kosovës është maksimalisht e përkushtuar për mbrojtjen e gjithë trashëgimisë sonë kulturore, dhe në veçanti të kishave ortodokse në shtetin tonë. Dialogu me klerikët ortodoksë në Kosovë është rruga e vetme për zgjidhje të qëndrueshme.

Së fundmi, Kryeministri i Republikës së Kosovës z. Albin Kurti i është drejtuar me një letër Kryemurgut të Manastirit të Deçanit z. Sava Janjić. Z. Kurti ka përsëritur zotimin e Qeverisë së Kosovës për mbrojtjen e kishave ortodokse dhe ka shprehur dëshirën e tij për të vizituar Manastirin e Deçanit ditëve në vijim. Ne ende jemi në pritje të përgjigjes për t’i diskutuar detajet praktike të kësaj vizite.

Sfidat tona të përbashkëta mund t’i adresojmë vetëm përmes komunikimit që fuqizon klimën e mirëbesimit. Retorika që nxitë urrejtje dhe përçarje mes komuniteteve nuk është zgjidhje dhe duhet të kundërshtohet nga të gjithë.

Letra e Albin Kurtit për Sava Janjiq