Kurti i gëzohet përparimit të Shqipërisë drejt BE-së
Kryeministri Albin Kurti i është gëzuar përparimit të Shqipërisë në rrugën drejt Bashkimit Europian pas hapjes së kapitullit të parë të negociatave për anëtarësim.
Kurti ka uruar popullin dhe Qeverinë shqiptare përmes një postimi në Facebook.
“I gëzohemi fort kësaj arritjeje të Shqipërisë! Urime popullit dhe qeverisë shqiptare! U dëshiroj rrugëtim pa pengesa e progres të bazuar në meritokraci dhe përmbushje të reformave prej të cilave së pari përfitojnë qytetarët dhe vendi” – ka shkruar Kurti.
Nga ky rrugëtim i Shqipërisë, kryeministri Kurti tha se pa dyshim që do të ëprfitojë edhe Kosova në mësime e përvoja duke iu afruar edhe më shumë BE-së.
“Bashkimin Evropian e kemi qëllim të përbashkët me Shqipërinë, jo vetëm si cak anëtarësimi, por edhe si vlerë e shoqërive tona demokratike, mirëqenie për qytetarët tanë dhe orientim i dy shteteve tona” – ka shkruar kreu i Qeverisë së Kosovës.
Shqipërinë e ka uruar edhe presidenja e Kosovës, Vjosa Osmani. Ajo tha se Shqipëria, Kosova dhe vendet e tjera demokratike të rajonit duhet të vazhdojnë të bëjnë përparim në rrugën europiane “që është thelbësore për të siguruar paqe të qëndrueshme dhe stabilitet, jo vetëm për rajonin, por gjithë Evropën”.
Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, në konferencën e përbashkët me ministrin hungarez të Punëve të Jashtme dhe Tregtisë, Peter Szijjarto, në Luksemburg, e vlerësoi si historik këtë moment.
“Çelja e kapitujve përbën arritje të madhe dhe shënon gurthemel historik në rrugëtimin e përbashkët. Çdo sukses që Shqipëria në procesin e BE-së duhet të shihet si hap për të gjithë rajonin. Për Shqipërinë nuk ka tjetër të ardhme” – tha Rama.
Sipas metodologjisë së re, në procesin e zgjerimit fillimisht është hapur grupi i parë ku janë kapitujt që kanë të bëjnë me sundimin e ligjit. Progresi në këtë fushë do të diktojë edhe përparimin në tërë procesin negociator.