Kurti i gatshëm për takim me LDK-në: Marrëveshjen na e kërkojnë qytetarët

Ka tre muaj që dy partitë më të votuara në vend, Lëvizja Vetëvendosje dhe Lidhja Demokratike e Kosovës, janë në negociata për një marrëveshje për të qeverisur së bashku, por nuk kanë arritur ende të vijnë në një ujdi.

Ndërkohë po bëhen gati dy javë që nga takimi i fundit kur liderët e këtyre dy partive, Albin Kurti e Isa Mustafa, për marrëveshjen për bashkëqeverisje.

“Nuk ka takime tash e 8 ditë, ndërkohë unë jam në Kosovë dhe jam i gatshëm i interesuar. Më 9 janar na është thënë së që do të mblidhet këshilli i përgjithshëm për propozimin tonë”, tha sonte Albin Kurti.

Kurti, kandidati më i votuar në zgjedhjet e 6 tetorit, i bëri thirrje LDK që të ulen prapë dhe të bisedojnë për marrëveshje.

“Takimi i fundit është mbajtur më 9 janar dhe kjo është për të ardhur keq, mendoj se ne duhet të kthehemi në tavolinën e bisedimeve për të arritur marrëveshje dhe kjo është thirrja ime”, shtoi ai.

Kurti tutje thotë se në takimin e fundit kur LVV ka dhënë propozime LDK ka thënë se duhet të kthehen në Këshillin e Përgjithshëm të partisë për të diskutuar.

“Në takimin e fundit në propozimin tonë na është thënë që do të kthehen në Këshillin e Përgjithshëm të LDK për ta marrë mendimin. Nuk jam në dijeni nëse ka diçka të re në këtë aspekt, mirëpo është e domosdoshme që të arrijmë marrëveshje dhe qeverisje bashkë, këtë na e kërkojnë qytetarët përditë dhe këtë e ka kërkuar edhe vullnet i tyre më 6 tetor të vitit të kaluar dhe besoj që me përgjegjësi politike dhe duhet të ulemi dhe të merremi vesh”, vazhdoi tutje Kurti.

Ai gjithashtu tha se do i kthejë përgjigje Presidentit Thaçi, kur të bëjë marrëveshjen me LDK-në.

“Ne do t’i kthejmë përgjigje Presidentit, do t’ia dërgojmë tonën, por po përpiqemi maksimalisht kjo të ndodhë pas marrëveshjes që do të arrijmë me LDK. Pra nga takimi me 9 janar të hënën bëhen dy javë dhe jemi përpjekur dhe po përpiqemi që një propozim tillë shkojë në bazë të një marrëvesheje me LDK”, tha ai.