Kurti: Hapja e arkivave shtetërore në Serbi është përgjigja për zbardhjen e fatit të të pagjeturve

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti ka thënë se hapja e arkivave shtetërore në Serbi është përgjigja për zbardhjen e fatit të të pagjeturve, teksa shtoi se për institucionet çështja e të pagjeturve do të jetë gjithmonë prioritet.

Këto deklarata i tha pasi bëri homazhe dhe vendosi lule te pllaka përkujtimore për të pagjeturit në oborrin e Kuvendit të Republikës së Kosovës, në Ditën Ndërkombëtare të Personave të Zhdukur.

Sipas komunikatës së Qeverisë, kryeministri tha se në këtë ditë ka më shumë ankth sesa pikëllim, pasi sipas tij, 1,632 persona nga Kosova vazhdojnë që të jenë të pagjetur.

“Siç e tha edhe presidentja e Republikës, në raportet tona me Serbinë, çështja e të zhdukurve me dhunë është kryefjalë dhe ne nuk mund të pretendojmë që të kemi as të ardhme të qëndrueshme e të sigurt nëse nuk adresojmë çështjet e së kaluarës nëse nuk e trajtojmë dhe nuk e sqarojmë të kaluarën. Por Serbia refuzon të ballafaqohet me të kaluarën”, tha Kurti.

Ai bëri thirrje që në të gjitha tryezat e ndryshme që organizohen në arenën ndërkombëtare t’i kërkohet Serbisë hapja e arkivave.

Kryeministri rikujtoi se vrasja e shqiptarëve në pranverën e vitit ’99, por edhe më herët në vitin ’98 e kështu me radhë, pastaj varrosja e zhvarrosja e tyre në Kosovë, bartja e kufomave nëpër varreza masive në Serbi dhe zhvarrimi prej atje, nuk është bërë nga qytetarët e thjeshtë e të zakonshëm, por nga aparati shtetëror. Andaj, siç tha ai, hapja e arkivave shtetërore në Serbi është përgjigja për zbardhjen e fatit të të zhdukurve me dhunë.

“Ne si krerë të institucioneve, do të jemi pranë familjarëve dhe gjithmonë do ta kemi prioritet këtë çështje”, tha Kurti.

Më pas, kryeministri vizitoi ekspozitën me fotografitë e të zhdukurve dhe të aktiviteteve që kanë ndërmarrë përgjatë viteve Asociacionet që angazhohen për ndriçimin e fatit të të zhdukurve me dhunë.