Kurti: Hapi i parë drejt deeskalimit është ndalja e dhunës dhe zbatimi i Marrëveshjes
Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka thënë se hapi i parë i deeskalimit të veriut të vendit, është përfundimi i menjëhershëm i dhunës ndaj institucioneve të sigurisë.
Këtë Kurti e ka thënë gjatë bisedës telefonike me ministrin e Punëve të Jashtme të Emirateve të Bashkuara Arabe, Abdullah bin Zayed.
Kurti po ashtu ka thënë se një hap tjetër është edhe zbatimi i menjëhershëm i Marrëveshjes Bazë, deri në zgjedhjet e ardhshme.
“Pata një telefonatë me MPJ Sheikh Abdullah bin Zayed. E falenderova për mbështetjen e Emirateve të Bashkuara Arabe gjatë gjithë viteve. Theksova se hapi i parë drejt deeskalimit është përfundimi i menjëhershëm i dhunës ndaj institucioneve të sigurisë dhe zbatimi i menjëhershëm i Marrëveshjes Bazë deri në zgjedhjet e ardhshme” – ka shkruar Kurti në rrjetin social Twitter.
Had a call w/ MFA Sheikh Abdullah bin Zayed. Thanked for the support of 🇦🇪 throughout the years. I stressed that 1st step towards de-escalation is the immediate end of violence against security institutions & immediate implementation of the Basic Agreement until next elections.
— Albin Kurti (@albinkurti) June 3, 2023
Serbët lokal në komunat veriore Zveçan, ZubinPotok dhe Leposaviq janë duke protestuar për të kundërshtuar hyrjen e kryetarëve të rinj në objektet komunale.
Të hënën e 29 majit, situata kishte eskaluar në Zveçan, pas përplasjes së protestuesve serbë me disa pjesëtarë të KFOR-it. Si rezultat i saj, mbetën të lënduar 30 paqeruajtës.
SHBA-të dhe BE vazhdimisht kanë kërkuar shtendosje të situatës në veri të Kosovës. Madje SHBA ka përjashtuar ushtrinë e Kosovës nga ushtrimi Defender 23 si pasojë për ‘mosdëgjimin’ që e ka bërë Qeveria e Kosovës.
SHBA po kërkojnë nga qeveria që kryetarët e ti të mos ushtrojnë detyrat e tyre nga objektet komunale dhe policia e Kosovës të largohet nga ato ndërtesa. Mirëpo kryeministri Albin Kurti po insiston që kryetarët duhet të ushtrojnë detyrat nga zyrat e tyre, sepse sipas tij ‘Kosovës nuk i duhet sistem paralel’.
Presidentja Osmani ka takuar presidentin e Francës, Emmanuel Macron dhe kancelarin e Gjermanisë, Olaf Scholz si dhe ka mbajtur një takim ‘joformal’ me presidentin serb Aleksandar Vuçiq
Nga këto takime është propozuar ideja që në katër komunat veriore, Zveçan, Leposaviq, Zubin Potok e Mitrovicë të Veriut të përsëriten zgjedhjet edhe njëherë.
Zgjedhjet e parakohshme në veri së fundmi i përmendi edhe kryeministri, Albin Kurti, pas telefonatave nga zyrtarë të lartë të Departamentit Amerikan.