Kurti ha një shujtë në mensën e Policisë, suksesin e policëve në veri e quan mahnitës

Kryeministri Albin Kurti sot e hëngri drekën në një vend ndryshe nga ditët e tjera.

Ai njoftoi se bashkë me ministrin e Brendshëm, Xhelal Sveçla dhe me drejtorin e Policisë, Gazmend Hoxha, sot pasdite kanë shijuar shujtat e ngrohta në mensën e re të Kampit të Policisë në Belvedere të Mitrovicës së Jugut.

Përveç kampit, kreu i Qeverisë ishte edhe në palestrën “Minatori”, ku Federata e Xhudos së Kosovës kishte organizuar demonstrimin e xhudos nga kampionia olimpike, Majlinda Kelmendi.

“Nga palestra “Minatori” e demonstrimit të vajzës sonë të artë në xhudo, Majlinda Kelmendi, te oficerët tanë të çeliktë në Kampin e Policisë në Belvedere” – ka shkruar Kurti në Facebook.

Ai tha se është njoftuar për aksionet, operacionet, aktivitetet dhe të arriturat e Policisë së Kosovës.

“Sukseset e tyre për rend, ligj dhe kushtetutshmëri në katër komunat tona në veri të vendit janë mahnitëse. Motivimi e morali i tyre janë të lartë kurse profesionalizmi dhe disiplina e pashoq” – ka shtuar ai.

Mbështetja e Qeverisë së tij për ta kryeministri tha se është e garantuar.