Kurti: Gjykata Speciale - si një fantazmë që disiplinon komandantët e kthyer në politikanë

Kryeministri në detyrë i Kosovës, Albin Kurti ka deklaruar se Gjykata Speciale nuk mund të zhbëhet përderisa është bërë obligim kushtetues i Kosovës.

“Pra Gjykata Speciale është miratuar në Kuvendin e Kosobvës me gjithsej 82 vota, pra mbi dy të tretat. Nuk mund të zhbëhet me ligj ajo që u bë me ndryshim kushtetues”, tha ai në një intervistë për Euronews Albania.

Kurti ka shtuar se Specialja ishte si një fantazmë që disiplinonte komandantët e kthyer në politikanë.

“Këta komandantë të kthyer në politikanë qartazi janë disiplinuar nga Gjykata Speciale ende pa vepruar ajo, vetëm nëpërmjet kërcënimeve se do të ngriten aktakuza. Paradoksalisht Gjykata Speciale nuk e ka pasur shumë të nevojshme të veprojë duke ekzistuar përderisa vepronte duke mos ekzistuar”, tha ai.

Kryeministri në detyrë shtoi se Kosova ka nevojë për gjykata normale.

“Për githë çfarë ka ndodhur para dhe pas luftës, duhet një gjykatë normale.  Gjykata speciale nuk mund ta vazhdojë misionin sepse ne nuk e kemi parë atë. Është gjykatë sui generis e cila e ka një këmbë jashtë Kosovës dhe një këmbë brenda Kosovës”, theksoi ai.

Kurse, sot Dhomat e Specializuara kanë njoftuar se është caktuar gjykatësi i procedurës paraprake, i cili do të vendosë rreth një aktakuze të re të Prokurorit Special në Hagë.

Sipas njoftimit përmbajta e aktakuzës është konfidenciale deri sa të konfirmohet nga gjykatësi.

Në shkurt të këtij viti Gjykata Speciale ka nisur shqyrtimin e aktakuzave të para që tashmë janë ngritur nga ana e Prokurorit të Specializuar, përderisa ka bërë të ditur se me konfirmimin e aktakuzave, ato do të bëhen publike.

Gjykatë Speciale u krijua në bazë të një ligji të miratuar në vitin 2015 nga Kuvendi i Kosovës – nën presionin e aleatëve perëndimorë të Kosovës – për të gjykuar krimet e kryera nga anëtarët e UÇK-së gjatë dhe menjëherë pas luftës së viteve 1998-1999.