Protesta në veri, 07.08.2024. Foto: Florinda Kelmendi/KALLXO.com

Kurti fton komunitetin serb që të marrin pjesë në takim në komunën e Mitrovicës së Veriut

Një protestë u mbajt sot më 07.08.2024 në sheshin “Car Lazar” në Mitrovicë të Veriut kundër hapjes të Urës së Ibrit nga qytetarë të komunitetit serbë në krye me politikanë të partive të ndryshme të asaj ane.

Pas protestës e cila përfunsoi në mënyrë paqësore, reagoi kryeministri i Kosovës, Albin Kurti duke falënderuar institucionet e sigurisë që garantuan mbarëvajtjen e qetë të saj.

“Protestat janë e drejtë demokratike të cilën e gëzojnë dhe mund ta ushtrojnë të gjithë qytetarët e Republikës sonë pa dallim”- ka shkruar Kurti në Facebook.

Ndër të tjera, Kurti ka ftuar qytetarët, aktivistë të shoqërisë civile dhe përfaqësues të mediave lokale që të marrin pjesë nesër në takimin dhe bashkëbisedimin që do të zë vend nesër më 08.08.2024 në Komunën e Mitrovicës së Veriut me temën “Bashkëpunimi ndëretnik, këshillim komunal për siguri në bashkësi, bashkëpunimi në mes të institucioneve dhe shoqërisë civile”.

Kreu i ekzekutivit ka ftuar bashkëqytetarët e komunitetit serb që të marrin pjesë në këtë diskutim të përbashkët në të cilin, sipas tij, do të mund të njoftohen mbi përfitimet nga hapja e urës dhe të shprehin shqetësimet e tyre të cilat do të trajtohen nga përfaqësuesit tanë institucionalë dhe institucionet e vendit.

“Për shumë gjatë Ura e Mitrovicës mbi Ibër na ka mbajtur në distancë. Asaj padrejtësisht i është dhënë epiteti i ndasisë dhe marrëdhënieve jonormale. Urat na bashkojnë, e bashkë le ta bëjmë atë simbol të normalizimit”- shkruan Kurti.

Gjatë protestës, disa nga protestuesit janë parë me pankarta përmes të cilave po përçojnë mesazhe.“Nëse hapet ura, KFOR dhe QUINT do të jenë përgjegjës për të gjitha” – është një nga mesazhet në protestën e sotme.

“Përderisa BE dhe SHBA shkruajnë komunikata, neve po na përzënë”, “Në urë e kemi mbrojtur qëndresën, tash e mbrojmë zhdukjen” e “Kërkojmë nga FKOR që të na mbrojë” – janë disa nga mesazhet tjera.

Në krye të protestuesve,  edhe kësaj radhe janë parë politikanët serbët nga pari të ndryshme.

Ashtu si herëve të tjera, edhe kësaj radhe qytetarë e mbledhur në shesh kanë filluar protestën duke lëshuar këngë nacionaliste.

Dje, më 06.08.2024, zëvendësdrejtori i Policisë për rajonin e Mitrovicës së Veriut tha se protesta parashihet të jetë e qetë.

Ai njoftoi se Policia do të jetë aty në numër të mjaftueshëm që të mbajë rendin dhe qetësinë publike.

Përderisa sot, përpos Policisë, edhe ekipe të EULEX e të KFOR janë parë duke qëndruar në urën e Ibrit e edhe duke lëvizur nëpër zonën ku po mbahet protesta.

Dje, më 06.08.2024 është bërë një inspektim teknik në urën kryesore mbi lumin Ibër.

KALLXO.com raportoi se kompania fituese për këtë isnpektim është përzgjedhur “IPE-PROING”. Punëtorët e kompanisë dolën në terren për të kryer disa matje të urës.

Nga kompania nuk pranuan të deklarohen ndërsa, përmes telefonit refuzuan të japin detaje.

Ministria e Infrastrukturës përmes platformës elektronike ka publikuar kontratën për dhënien e një tenderi me titull “Përcaktimi i kapacitetit mbajtës të strukturës së urës ekzistuese mbi lumin Ibër në Mitrovicë, me ngarkesa testuese”.

Vlera e tenderit është 9 mijë e 640 euro.

Misioni paqeruajtës në Kosovë, KFOR, më pas bëri të ditur se komandanti i KFOR-it, gjeneralmajor Özkan Ulutaş ishte njoftuar nga drejtori i Policisë së Kosovës për këtë inspektim.

Prej kur nisi diskutimi në publik për mundësinë e hapjes së urës mbi lumin “Ibër” përfaqësues të shteteve të huaja në vendin tonë e kanë kundërshtuar si ide.

“Simboli i normalizimit”: Fati i Urës së Ibrit i varur nga dialogu në Bruksel