Kurti: FSK për herë të parë po kryen stërvitje me Amerikën në Kosovë

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti ka thënë se Forca e Sigurisë së Kosovës, për herë të parë po zhvillon stërvitje të përbashkëta me Ushtrinë Amerikane në territorin e saj.

Kurti përmes një postimi në Facebook tha se ushtarët e FSK-së po tregojnë përkushtim në ushtrimin ‘Defender 21’.

“Për herë të parë Kosova po kryen një stërvitje të udhëhequr nga Ushtria Amerikane në territorin e saj. Trupat tanë po tregojnë përkushtim dhe profesionalizëm në ushtrime të ndryshme si pjesë e Defender 21 në Kosovë, Kroaci dhe Shqipëri”, ka shkruar Kurti.

Forca e Sigurisë së Kosovës me 330 ushtarë është pjesë e stërvitjes “Defender-Europe 21”, ushtrimet e së cilës në Kosovë janë duke u zhvilluar nga data 17 maj e do të zgjasin deri më 29 maj dhe arena e trajnimeve do të jetë në fshatin Babaj i Bokës në Gjakovë.

Kosova është një prej 16 vendeve pritëse të “Defender Europe 21”, që është një stërvitje e përbashkët mbrojtëse shumëkombëshe e drejtuar nga ushtria amerikane. Në “Defender-Europe 21”, marrin pjesë 27 shtete me mbi 28 mijë ushtarë.