Foto: Urim Krasniqi/KALLXO.com

Kurti flet për votat e serbëve të Kosovës për Iniciativën e Adriana Hoxhiqit: Është manipulim që origjinën e ka në Beograd

Kandidati për kryeministër nga radhët e Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti, ka folur për votat që votuesit serbë të Kosovës ia kanë dhënë Iniciativës së Adriana Hoxhiqit.

Dyshohet se Iniciativa e Hoxhiqit është votuar me rekomandimin e Listës Serbe, e cila në këtë mënyrë synon të rrisë ndikimin në Kuvendin e Kosovës.

Në një prononcim për RTV Besa, Kurti ka thënë se kjo është bërë me strategji të paramenduar, në mënyrë që të keqpërdoren, sipas tij, mundësitë dhe privilegjet kushtetuese, për të minuar përfaqësimin e komunitetit boshnjak.

“Natyrisht që të gjithë jemi të indinjuar dhe duhet të bëjmë gjithçka që kjo kurrë më të mos përsëritet. Ndërkaq, tash duhet përdorur edhe mjetet legale dhe juridike në mënyrë që ky deformim i vullnetit të qytetarëve të mos reflektohet në përfaqësim të deformuar në Kuvendin e Republikës”, tha Kurti.

Ai deklaroi se si ish-kryeministër shpreh pakënaqësinë e tij të thellë me këtë manipulim e keqpërdorim, siç e ka quajtuar, që origjina nuk është fare në Kosovë, por në Beograd.

Kurti gjithashtu ka folur edhe për procesin e numërimit të votave të zgjedhjeve të 14 shkurtit.

Ai ka deklaruar se po tentohet që fitorja e partisë së tij të zvogëlohet.

“Ne po e përcjellim situatën dhe qartazi ka tendenca që fitorja jonë plebishitare sadopak të zvogëlohet, mirëpo edhe vonesat edhe këto padrejtësi të vogla, në dukje teknike por që nuk janë të tilla që po  zhvillohen, nuk mund ta ndalin ndryshimin e madh  për të cilin ka votuar populli i Kosovës më 14 shkurt”, ka thënë Kurti.