Kurti flet për vetëmenaxhimin e komunitetit serb dhe kush do e draftojë statutin

Kryeministri Albin Kurti ka folur lidhur me draftimin e statutit për vetëmenaxhimin e komunitetit serb në Kosovë sipas Planit të BE-së.

Ai në një intervistë në Debat Plus në RTV Dukagjini tha se në vitin 2020 ishte emëruar një ekip prej 6 personave që do punonte në draftin e Asociacionit.

Kurse, aktualisht nuk e di përbërjen e ekipit që do merret me këtë çështje.

“Ekipi që do draftonte këtë statut është prej gjashtë personave të cilët janë emëruar në shtator të vitit 2020 dhe vendimin për këtë e ka bërë ish zv/kryeministri i atëhershëm, Goran Rakiq nga Lista Serbe. Këta gjashtë persona janë dy serbë nga veriu, dy nga jugu, shefi i OSBE-së dhe ministri i Pushtetit Lokal. Në bazë të marrëveshjes së vitit 2015, ky ekip do duhej të draftojë statutin e Asociacionit”- u shpreh Kurti.

Kurti shtoi se si Qeveri do shqyrtojnë ditëve në vijim statusin e ekipit që do punojë tani.

“Tani nuk e di kush është saktësisht në këtë përbërje, por është mirë të dihet statusi i atij ekipi menaxhues dhe këtë si qeveri do ta shqyrtojmë ditëve në vijim”- shtoi më tej Kurti.

Kryeministri potencoi se vetëmenaxhimi nuk është territorial, por për komunitetin serb.

“Vetëmënaxhimi i përket nenit 7, që thotë vetëmenaxhim për komunitetin serb, jo komunat. Nëse vetëmenaxhimi do ishte tek komunat, atëherë do kishte të bënte me vetëqeverisjen lokale. Derisa, termi ‘Vetëvendosje’ përmendet në nenin 2 tek subjektiviteti i Kosovës në raport me Serbinë. Vetëmenaxhimi nuk është territorial”- shtoi tutje Kurti.

Kurti: Parulla jonë është “Jo Zajednicës”, edhe atëherë, edhe sot