Kryeministri Albin Kurti, Foto: KALLXO.com

Kurti flet për "ultimatumet e ndërkombëtarëve"

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka thënë sot para gazetarëve se nuk ka pranuar ndonjë ultimatum nga ndërkombëtarët për të pranuar kërkesat drejt daljes nga kriza në katër komunat në veri të vendit.

Kurti tha se ka ofruar dy mënyra për të dalë nga kriza. Njëra ndër to, sipas shefit të Qeverisë, është edhe mbajtja e zgjedhjeve të jashtëkonshme në katër komunat e veriut të vendit.

“Nuk kam marrë kurrfarë ultimatumi, ne u takuam, bashkëbiseduam me emisarët dhe unë kam ofruar mënyrën e sigurt se si të kemi një dalje të qëndrueshme nga kriza në veri të Kosovës, e shkaktuar nga strukturat ilegale paralele të Serbisë atje” – tha Kurti.

Në media qarkulloi lajmi se emisari amerikan, Gabriel Escobar, kishte dhënë kohë kryeministrit Albin Kurti deri të premten e kësaj jave që të japë një përgjigje rreth kërkesave të ndërkombëtarëve.

Por, siç tha edhe vetë Escobar, nuk janë dhënë afate kohore.

Sipas kryeministrit Kurti, ligji duhet të zbatohet në veriun e vendit.

“E para është sundimi i ligjit, kemi me dhjetëra ushtarë të NATO-s, policë të Kosovës dhe gazetarë të cilët ishin viktima të një egërsie të paparë të ekstremistëve të dhunshëm e të grupeve kriminale” – tha i pari i ekzekutivit.

“E dyta është që në përputhje me largimin e këtyre grupeve dhe përfundimin e të gjitha trazirave të dhunshme, të kemi zvogëlim të pranisë së Policisë nëpër ndërtesat komunale në tri komunat në veri dhe më pastaj do të mund të angazhoheshim në një proces fer, demokratik zgjedhor  për zgjedhje të parakohshme” – deklaroi Albin Kurti.