Kurti flet për protestuesit: E kanë kryeministrin që është i gatshëm t’i dëgjojë e ndoshta pajtohet me ta

Kryeministri i Kosovës Albin Kurti ka paraqitur gatishmërinë e tij për t’i dëgjuar protestuesit në veri, në rast se ata të kërkojnë zgjedhje të parakohshme.

Kryeministri Kurti ka dhënë një deklaratë në Forumn e  Bratislavës GLOBSEC2023 në Sllovaki, ku ka deklaruar se në takim me Përfaqësuesin e Lartë të BE-së, Josep Borrell dhe emisarin Miroslav Lajçak ka thënë në mes tjerash se do t’i mirëkuptonte protestuesit dhe do të ishte i gatshëm s kryeministër t’i dëgjonte, e ndoshta të pajtohej me ta.

“Sapo diskutoja me Borrell dhe Lajçak duke thënë që po të kishte protestë paqësore për zgjedhje të parakohshme, do ta kishte mirëkuptimin tim, por jo me turma me shkronjën Z, që gjuajnë granata dhe thonë ‘ubi ubi’ që i bie ‘vrite vrite’”- tha Kurti.

“Ne nuk e dorëzojmë Republikën tonë demokratike tek këta fashistë, nëse duan protesta paqësore me kërkesë për zgjedhje të parakohshme, e kanë kryeministrin që gjithë jetën ka qenë aktivist politik dhe është shumë i gatshëm t’i dëgjojë e ndoshta edhe të pajtohem me ta”- tha Kurti gjatë fjalës së tij në Bratisllavë.

Kreu i ekzekutivit u shpreh se Brukseli është vendi ku bëhet dialog mes Kosovës dhe Serbisë teksa shton se nuk i pëlqejnë “marrëdhëniet bilaterale fqinjësore pa vlera evropiane”.

“Brukseli është vendi ku bëjmë dialog mes Kosovës dhe Serbisë sepse nuk me pëlqejnë ato marrëdhëniet bilaterale fqinjësore pa vlera evropiane, ne aspirojmë që të hyjmë në BE, kemi aplikuar në BE, duam të bashkohem edhe në Këshill”- deklaroi ai.

Kurti gjatë fjalimit të tij  ka thënë se Kosova dhe Serbia kanë marrëveshje por se mbetet vetëm zbatimi i saj.

“Serbia është fqinji ynë që nuk e njeh shtetin tonë dhe thotë se nuk do ta njohë kurrë, përkundër faktit që kemi një marrëveshje të 27 shkurtit të këtij viti dhe më pas atë të Ohrit si një aneks implementimi për ujdinë fillestare bazë që në qendër ka njohjen de-facto pra kemi një marrëveshje thjeshtë duhet të zbatojmë”- tha Kurti.

“Është bindje e imja që presidenti i Serbisë i ka thënë “po” marrëveshjes për të mos e nënshkruar dhe tani i ka rënë pishman që ka thënë po, situata është e tensionuar për shkak se kemi një tekst goxha të mirë të përgatitur që është kthyer në një marrëveshje mes Kosovës dhe Serbisë me njohje de-fakto si esencë e saj, por që implementimi po ngecë sepse Beogradi nuk dëshiron ta bëjë”- theksoi ai.

Ambasadori amerikan në Kosovë, Jeff Hovenier, më 30 maj 2023 e ka konfirmuar zyrtarisht se Kosova është përjashtuar nga ushtrimi “Defender Europe ’23” si masë sanksionuese pas zhvillimeve të fundit në veri të vendit.

Ambasadori amerikan në Kosovë, Jeff Hovenier ka mbajtur konferencë për shtyp me disa media në Kosovë duke deklaruar që ka kërkuar urgjentisht nga kryeministri Albin Kurtit që të tërheqë Policinë e Kosovës komplet prej tri ndërtesave të komunale në veri të vendit, Zubin Potok, Leposaviq dhe Zveçan.

Ambasadori Hovenier theksoi që në mungesë të reagimit nga Qeveria e Kosovës në këtë kërkesë të SHBA-së dhe në mungesë të çfarëdo shenje se qeveria po punon në shtendosjen e situatës në veri, SHBA ka vendosur ta përjashtojë Kosovën nga ushtrimi i NATO-së “Defender Europe ’23”.

Po ashtu, “do të ndalim githa përpjekjet për të ndihmuar Kosovën në njohje me shtetet që nuk e kanë njohur Kosovën dhe në procesin e integrimit në organizata ndërkombëtare”.

Ndërkaq sekretari amerikan i shtetit, Antony Blinken i bëri thirrje Qeverisë së Kosovës që t`i tërheqë forcat policore nga veriu.

“Kryeministri [i Kosovës, Albin] Kurti dhe Qeveria e tij duhet të sigurojnë që kryetarët e zgjedhur t’i kryejnë detyrat e tyre kalimtare nga lokacione alternative, jashtë ndërtesave komunale, dhe t’i tërheqin forcat policore prej atje. Presidenti [i Serbisë, Aleksandar] Vuçiq dhe Qeveria e Serbisë duhet ta ulin statusin e sigurisë së Forcave të Armatosura Serbe dhe t’u bëjnë thirrje serbëve të Kosovës që të ndalojnë sfidimin e KFOR-it dhe të përmbahen nga dhuna e mëtejshme”, tha Blinken në një deklaratë të publikuar në ueb-faqen e Departamentit amerikan të Shtetit.

Ai gjithashtu ka kërkuar edhe nga presidenti serb, Aleksandar Vuçiq, që të ulë statusin e sigurisë të forcave të armatosura të Serbisë dhe t’u bëjë thirrje serbëve të Kosovës që të ndalojnë sfidat ndaj KFOR-it dhe të përmbahen nga dhuna e mëtejshme.

Gjatë përleshjeve midis protestuesve serbë dhe trupave të KFOR-it, janë plagosur 30 ushtarë ndërkombëtarë, tre prej të cilëve kanë marrë plagë nga armët e zjarrit, konfirmoi misioni i KFOR-it të martën.

Tensionet në katër komunat me shumicë serbe në veri të Kosovës janë rritur që nga 26 maji 2023.

Serbë lokalë po kundërshtojnë vendosjen e kryetarëve të zgjedhur në objektet komunale, nga komuniteti shqiptarë.

Më 30 maj 2023, protestuesit serbë u përplasën me ushtarë të KFOR-it. Policia e Kosovës njoftoi se ka arrstuar pesë persona të dyshuar për këto sulme.