Foto: Urim Krasniqi/KALLXO.com

Kurti flet për përfshirjen e Kishës Ortodokse serbe si pikë në propozimin franko – gjerman

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti ka folur sot për përfshirjen e Kishës Ortodokse Serbe në propozimin Franko – Gjerman.

Ai ka thënë se propozimi për marrëveshje përmban një pikë mbi formalizimin e statusit të Kishës Ortodokse Serbe.

Sipas tij, formalizimi nuk nënkupton negocim mbi statusin e saj, e as diskutim mbi të drejta të veçanta.

“Siç e kam thënë, propozimi për marrëveshje përmban një pikë mbi formalizimin e statusit të Kishës Ortodokse Serbe, formalizimi nuk nënkupton negocimin mbi statusin e saj, e as diskutim mbi të drejta të veçanta. Formalizim i referohet si një person juridik fetar, si bashkësi fetare në Legjislacionin e Brendshëm të Kosovës” – ka thënë Kurti.

Kurti tutje ka thënë se, një gjë e tillë nënkupton përmbushje e detyrimit të Kosovës ndaj të gjitha komuniteteve apo bashkësive fetare.

“Unë mund të ju garantoj se asgjë e veçantë apo historikisht kontestuese që ka të bej më kishën ortodokse nuk do të pranoja të përfshihej në një marrëveshje si kjo”- ka thënë ai.

Temën për Kishës ortodokse serbe, e ka ngritur në Kuvend, deputetja e PDK-së, Ariana Musliu – Shoshi.

Ajo ka kërkuar nga Kurti të di se cilat janë temat që do të negociohen në takimin e të hënës mes Kurtit dhe presidentit serb, Aleksandar Vuçiq.

Kryeministri ka thënë se ka pranuar parimin të cilin e kanë kërkuar ndërmjetësit evropian, që është transparenca e procesit dhe konfidencialiteti i bisedimeve.

“Propozimi franko- gjerman nuk është produkt i negocimit, pasi me 18 gusht është hapur tema e kornizës së përgjithshme të marrëveshjes. Propozimi ka të bejë me historinë prej më shumë se një dekade të dialogut të Brukselit. Nuk është produkt i përfshirjes së kërkesave të palëve”- ka thënë Kurti.