Foto: ZKM

Kurti flet për kërkesën e SHBA-së për shtyrjen e vendimit për targat

Kyeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka folur për kërkesën e Shteteve të Bashkuara të Amerikës për shtyrjen për 10 muaj të vendimit për zbatimin e planit për targat e automjeteve që i përdorin serbët e veriut të vendit.

Ai tha se në këtë rast Qeveria nuk ka bërë shtyrje pasi është e drejtë e tyre dhe, siç tha Kurti, kanë shprehur mirëkuptim për brengat amerikane e evropiane lidhur me cenimin e paqes dhe sigurisë në vend.

“Tash shtyrja 10-mujore nuk mund të jetë shtyrje, shtyrja mund të jetë 3 javë, mund të jetë një muaj, 2 muaj. Në këtë rast nuk kemi bërë shtyrje sepse jemi në të drejtën tonë dhe në të njëjtën kohë kemi shprehur mirëkuptimin për brengat evropiane e amerikane lidhur me mundësitë e cenimit të paqes e sigurisë. Ne dëshirojmë të mos bëjmë kompromis për zbatimin e ligjit të drejtë, edhe të mos e cenojmë paqen e sigurinë dhe këtë e kemi bërë me vendimin që kemi marrë. Ka nisur zbatimi prej 1 nëntorit, nuk ka nisur konfiskimi i targave. Kemi bërë një sekuencim në zbatim që besojmë që është rruga më e mirë” – theksoi Kurti.

Kreu i ekzekutivit theksoi se është në kontakt të vazhdueshëm me SHBA-në dhe Ambasadën amerikane. Kurti shtoi se edhe pse nuk pajtohen për çdo hollësi, sipas tij nuk ka pasur shpërfillje të Qeverisë ndaj brengave evropiane.

“Me SHBA-në jemi vazhdimisht në kontakt, edhe me ambasadën tonë por edhe me Departamentin Amerikan. Nuk ka vendim që shkakton preokupim të paqes e sigurisë e për të cilin nuk i njoftojmë partnerët tanë në Uashington dhe Bruksel. Nuk do të thotë se pajtohemi për secilën hollësi, sepse Qeveria e Kosovës është sovrane, por nuk mund të thuhet që ka pasur kurrfarë shpërfillje të Qeverisë sonë ndaj brengave evropiane” – u shpreh ai.

Më tej, Kurti u deklarua edhe në lidhje me konferencën e djeshme të komandantit të Policisë në Veri, i cili tha se nuk i zbatojnë urdhrat e Prishtinës.

“Është një gjë kur dështon zbatimi i vendimit, dhe një gjë tjetër kur dikush bën thirrje të mos zbatohet vendimi. Por i përket organeve të sigurisë, MPB-së e Policisë, që të merren me këtë thirrje e cila qartazi është në shpërputhje me rendin e ligjin në Kosovë”- përfundoi Kurti.