Foto: Urim Krasniqi/KALLXO.com
Kurti flet për ‘dorëzimin’ e ish-krerëve të UÇK-së në Speciale
Në vitin 2019, pak para se të bëhej kryeministër i Kosovës, Albin Kurti kishte deklaruar se po të vijë Vetëvendosje në qeverisje, nuk do t’i dorëzonin të akuzuarit në Gjykatën Speciale.
Ndërkaq, tash në një intervistë për KALLXO.com, i pyetur nëse do t’i dorëzonte të akuzuarit në Speciale po të ishin në pushtet, kreu i Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti, ka deklaruar se nuk mund të mos i dorëzosh këta si puna e ish-presidentit sepse “këta dorëzohen vetë”.
“Unë kam folur për atë që është derivat i qëndrimit fillestar e parimor se Gjykata Speciale nuk është një ngrehinë juridike e drejtë dhe transparente. Kishim UNMIK-un, kishim Tribunalin [e OKB-së për Krimet në ish-Jugosllavi] e Hagës, kishim EULEX-in, edhe një Gjykatë Speciale, e unë mendoj se kemi nevojë për gjykata normale. Por, ju e patë që nuk mund të mos i dorëzosh këta si puna e ish-presidentit sepse këta dorëzohen vetë”, theksoi Kurti.
I pyetur nëse mendon që të akuzuarit nuk do të duhej të dorëzoheshin para Dhomave te Specializuara, Kurti ka thënë se dorëzimin ata e kanë bërë në vitin 2014, 2015.
“Realisht këta dorëzimin e kanë bërë në vitin 2014, 2015. Pra, nuk kanë qenë njerëz këmbëngulës që mos të mund t’i dorëzosh. Unë edhe njëherë po insistoj, që të gjitha pretendimet ndërkombëtare do të duhej të trajtoheshin në gjykata vendore në bashkëpunim me ndërkombëtarë, por në gjykata vendore sepse e kemi shpallur pavarësinë”, tha ai.
Ish-presidenti i Kosovës Hashim Thaçi, ish-kryetari i Kuvendit të Kosovës, Kadri Veseli dhe ish-udhëheqetësit tjerë të UÇK-së, Jakup Krasniqi e Rexhep Selimi janë duke u gjykuar në Hagë pas konfirmimit të aktakuzës ndaj tyre për krime lufte, nga ana e Gjykatës Speciale.
Në një intervistë të gjatë për KALLXO.com, Albin Kurti mes tjerash flet rreth aktakuzës së Gjykatës Speciale, pasojave politike, zgjedhjeve të reja dhe synimin e tij për t’u rikthyer në pushtet me 50 për qind të votave.
Albin Kurti: Pas zgjedhjeve të ardhshme, situata do të ndryshojë radikalisht