Kurti flet për aktakuzën e Prokurorisë Speciale ndaj Nenad Rashiq
Kryeministri në detyrë, Albin Kurti ka folur në lidhje me ngritjen e aktakuzës nga ana e Prokurorisë Speciale të Kosovës ndaj kreut të zyrës për komunitete në Zyrën e Kryeministrit, Nenad Rashiq.
I pyetur në lidhje me masat që do të ndërmarr Kurti pas aktakuzës së ngritur ndaj Rashiq, ai tha se nuk e ka takuar ende ndërsa do të shikojë rrugën më të mirë për këtë rast.
“Nuk është mirë ajo çka ka ndodhë, sepse është një proces ku kryesisht kreu nuk është akuzuar dhe janë akuzuar diçka një numër i konsiderueshëm i zyrtarëve, diçka që është shprehi e shtetit të kapur por mua më ka ardhur keq kur kam marrë vesh këtë lajm nuk e kam ditë. Por do ta takoj kreun e zyrës për komunitete në Zyrën e Kryeministrit dhe do ta shohim se cila është rruga më e mirë për të ardhur në konkluzionin e njëjtë që ta bëjmë ndryshimin. A është shkarkimi apo dorëheqja un kam shumë respekt për të po e them të drejtën. Pavarësisht aktakuzës mendimi im për z Nenad Rashiq nuk ndryshon ama e kuptoj që ka ndryshu situata dhe do të ndryshoj pozita, por më lejoni që ta takoj sepse prej kur është publikuar nuk e kam takuar”, ka thënë Kurti deri sa ishte i ftuar në Debat Plus në Televizionin Dukagjini.
Prokuroria Speciale e Kosovës javën e kaluar ngriti aktakuzë ndaj 4 ish-ministrave të qeverisë Thaçi 2 për faljen e katër hidrocentraleve gjatë privatizimit të distribucionit të KEK-ut.
Njëri nga të akuzuarit është edhe Nenad Rashiq, këshilltari i kryeministrit në detyrë, Albin Kurtit.
Aktakuzë për ish-ministrat e ‘Qeverisë Thaçi 2’ për faljen e Hidrocentraleve
Gjatë fushatës zgjedhore për zgjedhjet e 6 tetorit të 2019, në një intervistë për KALLXO.com, Nenad Rashiq kishte deklaruar se nuk ta paramendonte vetën të jetë pjesë e Qeverisë ose Parlamentit në rast se ka aktakuzë.
Përveç Nenad Rashiqit që është pjesë e kabinetit Kurti, me të njëjtën aktakuzë përballet edhe deputetja e grupit parlamentar të Lëvizjes Vetëvendosje, Mimoza Kusari Lila.
Rashiq në kohën për të cilën po përballet me akuzën e Prokurorisë Speciale ka qenë Ministër i Punës dhe Mirëqenies Sociale.
Lëvizja Vetëvendosje e kishte kundërshtuar edhe me protesta privatizimin e KEK-ut.
KALLXO.com ka raportuar në lidhje me aktakuzën e ngritur nga ana e Prokurorisë Speciale.
Aktakuzë për ish-ministrat e ‘Qeverisë Thaçi 2’ për faljen e Hidrocentraleve