Angela Merkel - Foto: REL/AFP

Kurti flet në telefon me Angela Merkel

Kryeministri Albin Kurti sot gjatë ditës pritet ta ketë një bisedë telefonike me kancelaren gjermane Angela Merkel.

Këtë e ka konfirmuar për KALLXO.com, zëdhënësi i Qeverisë, Përparim Kryeziu.

“Në fillim ishte paraparë një takim mes Kryeministrit Kurti dhe Kancelares Merkel pikërisht për datën e sotme. Por për shkak të pandemisë COVID-19, ky takim në Berlin është anuluar. Ishte paraparë të mbahej një video-konferencë, por pas vet-izolimit të Kancelares Merkel, është vendosur që komunikimi të bëhet nëpërmjet një lidhje telefonike”, i ka thënë KALLXO.com, zëdhënësi i Qeverisë.

Që nga dita e djeshme, kancelarja Merkel është futur në vet-karantinë pasi që kishte takuar një mjek të infektuar me COVID-19.

Ende nuk dihen saktësisht temat për të cilat do të diskutojnë në telefon kryeministri Kurit dhe kancelarja Merkel.

Kosova përveç që është duke u përballur me krizën e pandemisë COVID-19, së fundi është duke u përballu edhe me krizën politike, kur partneri i Kurtit në Qeveri, LDK ka nisuar mocion për rrëzimin e Qeverisë.

LDK, është pjesë e partive popullore evropiane, ku bënë pjesë edhe partia e Angela Merkel CDU.