Foto: Albin Kurti, Facebook

Kurti flet në Kuvend për Planin franko-gjerman: ‘Zajednica’ nuk kalon në Qeveri

Kliko këtu, bashkohu në grupin e KALLXO në Viber dhe informohu në kohë reale me lajmet kryesore gjatë ditës

_____________________________________________________________________________

Në fjalimin e mbajtur pas mesnate në Kuvend, kryeministri Albin Kurti ka adresuar disa prej çështjeve të ngritura nga deputetët e opozitës lidhur me propozimin evropian.

Shefi i Qeverisë tha se ‘Zajednica’ ka kaluar në Kuvend mirëpo jo në gjykatë e në popull.

“’Zajednica’ nuk kalon as në kryeministri e as në Qeveri. Kosova nuk e njeh Serbinë, e cila në Kushtetutën e saj e konsideron Kosovën pjesë integrale të saj” – u shpreh Kurti.

Rrjedhimisht, siç tha ai, marrëdhëniet janë të panormalizuara, sepse 2 shtetet nuk njohin statusin e njëri-tjetrit.

“Kushtetuta e Kosovës e ka brenda kartën e vetëqeverisjes, edhe ajo kartë nuk përcakton në asnjë nen një shtresë të re të pushtetit lokal” – tha Kurti, duke iu referuar akuzave se Serbia po hyn në Kosovë.

Deputetët opozitarë akuzuan Kurtin se me nënshkrimin e këtij propozimi po tejkalon të kaluarën duke harruar dhe falur krimet e Serbisë ndaj Kosovës.

“Duhet ta analizojmë një gjë me vëmendje. Kur themi tejkalimi i së kaluarës nuk duhet ta keni reprezentimin mental e tejkalimit të një gjësendi. Se e kaluara nuk është gjësend, nuk është sikur tejkalimi i një veture në autostradë. Është pikërisht duke punuar me atë gjë, duke u marrë me të ti e tejkalon. Ndërsa gjësendet i tejkalon duke mos u marrë me të” – u përgjigj Kurti.

Kryeministri tha se është i vetëdijshëm se Serbia synon edhe më keq se sa parashikimet e rreziqeve të disa deputetëve. Mirëpo, tha se ato nuk bëhen pa pranuar Kosova.

Ai i falënderoi deputetët për parashikimet e tyre, të cilat tha se i merr seriozisht prandaj i ka shënuar në fletë për t’i mbajtur mend më lehtë.

Zajednica edhe pa u zbatuar në terren, sipas Albin Kurtit, ka bërë dëme vetëm si ide.

“Pas marrëveshjes së 19 prillit 2018, praktikisht eliminohet pluralizmi politik të komunitetit serb në Kosovë dhe fillon dominimi i një partie me tendencë totalitare e listës serbe” – tha ai.

Shumë probleme në shtetndërtimin e Kosovës, sipas tij, janë sepse nuk ka demokraci të komunitetit serb në Kosovë.

“Përfundimi që nxjerrim është se nuk mund të ketë edhe asociacion monoetnik edhe pluralizëm politik te serbët. Në momentin që veç ua ke dhënë idenë e ke bërë vendim për asociacion monoetnik, ti u ke thënë s’keni nevojë për parti ju” – vazhdoi tutje Kurti.

Vendimi për “Zajednicën”, sipas kryeministrit, eliminoi nga skena politike Nenad Rashiqin dhe e bëri komandant Nenad Gjuriqin.

Mirëpo, tani ati tha se ka përmbysje për të mirë, pasi që Gjuriqi nuk është komandant i policisë, ndërsa Rashiqi është ministër i Qeverisë.

“Marrëveshja e 19 prillit i ka tri pjesë. 6 pikat e para nga 15 gjithsej është Zajednica. Mirëpo janë disa pika të tjera që flasin për inkuadrimin formal të një pjese të strukturave ilegale në institucionet e Kosovës. Tjetra është pika e 14-të që Kosova e Serbia nuk do ta pengojnë njëra-tjetrën drejt Bashkimit Evropian. Prej këtyre 3 pjesëve ne fund të vitit të kaluar 2 prej tyre i ka shkel presidenti i Serbisë” – tregoi Kurti.

Ai pyeti se pse nuk u përmendën thirrjet e Beogradit ndaj serbëve të Kosovës për të dhënë dorëheqje dhe letrat e dërguara 5 shteteve të BE-së që nuk e njohin Kosovën, për mospranimin e aplikacionit të Kosovës për anëtarësim.

“Para se të më thoni mua “a e bëre, a s’e bërë, a e pranove, a s’e pranove” konstatone që kur t’i vjen radha me u trajtu në bisedime të mëtutjeshme unë do të them qysh është shkel ajo. A e kuptoni pse po ndihem vetë? E nuk ish kanë dashtë” – pyeti kryeministri opozitën.

Sugjerimi i tij për deputetët ishte që të mos e quajnë Planin franko-gjerman si marrëveshje për Asociacionin sepse Asociacioni është vetëm pjesë e planit e jo i tërë plani.

“Është e mundshme edhe të më kritikoni mua, edhe të mos e dëmtoni shtetin, veç ndoshta duhet me mendu pak më shumë” – u shpreh ai.