Albin Kurti

Kurti falënderon kryetarin e Leposaviqit: Hetemi çdo ditë merr kërkesa që të dalë prej zyrës së tij

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti ka thënë se kryetari i Komunës së Leposaviqit, Lulzim Hetemi, për çdo ditë i merr mesatarisht nga dhjetë kërkesa të ndryshme prej shumë anëve që të dalë prej zyrës së tij.

“Çka s’i thonë: disa e marrin me të mirë, disa jo më të mirë, e disa të dyja këto njërën pas tjetrës”-ka shkruar Kurti në Facebook.

Kreu i Qeverisë së Kosovës e ka falenderuar të parin e Komunës së Leposaviqit, sipas tij për qëndresën shembullore.

“E falënderoj Kryetarin Lulzim nga zemra për qëndresën e tij shembullore për Republikën e Kosovës dhe rend e ligj”- ka përmbyllur Kurti në Facebook.

Kryeministri gjithashtu ka theksuar se kryetari Hetemi është vëllau i dëshmores Fatime Hetemi që ra heroikisht si ushtare e UÇK-së bashkë me Fehmi e Xhevë Lladrovcin më 22 shtator të vitit 1998.

 

Që nga 26 maji serbët lokalë në komunat veriore të Zubin Potokut, Zveçanit dhe Leposaviqit po protestojnë për t’iu penguar kryetarëve të rinj hyrjen në objektet e komunave.

Të hënën e 29 majit, situata kishte eskaluar në Zveçan, pas përplasjes së protestuesve serbë me disa pjesëtarë të KFOR-it. Si rezultat i saj, mbetën të lënduar 30 paqeruajtës.

SHBA-të dhe BE vazhdimisht kanë kërkuar shtendosje të situatës në veri të Kosovës. Madje SHBA ka përjashtuar ushtrinë e Kosovës nga ushtrimi Defender 23 si pasojë për ‘mosdëgjimin’ që e ka bërë Qeveria e Kosovës.

SHBA po kërkojnë nga qeveria që kryetarët e ti të mos ushtrojnë detyrat e tyre nga objektet komunale dhe policia e Kosovës të largohet nga ato ndërtesa. Mirëpo kryeministri Albin Kurti po insiston që kryetarët duhet të ushtrojnë detyrat nga zyrat e tyre, sepse sipas tij ‘Kosovës nuk i duhet sistem paralel’.

Presidentja Osmani ka takuar presidentin e Francës, Emmanuel Macron dhe kancelarin e Gjermanisë, Olaf Scholz si dhe ka mbajtur një takim ‘joformal’ me presidentin serb Aleksandar Vuçiq

Nga këto takime është propozuar ideja që në katër komunat veriore, Zveçan, Leposaviq, Zubin Potok e Mitrovicë të Veriut të përsëriten zgjedhjet edhe njëherë.

Zgjedhjet e parakohshme në veri së fundmi i përmendi edhe kryeministri, Albin Kurti, pas telefonatave nga zyrtarë të lartë të Departamentit Amerikan.

Nën alarm: Si nisën tensionet në veri?