Takimi në mes kryeministrit Albin Kurtit dhe presidentit të Bullgarisë, Rumen Radev, Foto: ZKM

Kurti falënderoi presidentin e Bullgarisë për mbështetjen diplomatike ndaj Kosovës

Me rastin e vizitës së tij të parë zyrtare në Kosovë, presidenti i Bullgarisë, Rumen Radev është takuar edhe me kryeministrin e Kosovës, Albin Kurti.

Takimi mes tyre është mbajtur i mbyllur për media, ndërsa presidenti Radev fillimisht është takuar me të paren e shtetit, presidenten Vjosa Osmani.

Kryeministri Kurti i ka uruar mirëseardhje presidentit bullgar duke e falenderuar shtetin e tij për mbështetjen e vazhdueshme ndaj anëtarësimit të Kosovës në organizatat ndërkombëtare, integrimin në Bashkimin Europian dhe në Këshillin e Europës, si dhe bashkëpunimin rajonal mes të dy shteteve, duke përfshirë Procesin e Berlinit.

“Ne jemi mirënjohës për mbështetjen e Bullgarisë në momente vendimtare për vendin dhe popullin tonë, duke përfshirë edhe vitin 1999 kur ju hapët qiellin për fushatën e bombardimeve të NATO-s, i cili ndaloi gjenocidin e Serbisë dhe e mbyllët atë për qëllimin keqdashës të Rusisë dhe veprimin e rrezikshëm, jo vetëm për Kosovën’’ – e ka falenderuar kryeministri Kurti, presidentin Radev.

Sipas komunikatës së Zyrës së Kryeministrit, Kurti ka shtuar se populli i Kosovës dhe ai i Bullgarisë kanë një histori të përbashkët në Ballkan, dhe një të ardhme të përbashkët në BE.

Më tej, kryeministri Kurti ka theksuar rëndësinë e rritjes së bashkëpunimit, sidomos në fushën e ekonomisë ku mund dhe duhet të bëjnë më shumë, po ashtu dhe në fushën e mbrojtjes dhe sigurisë, përmes trajnimeve të përbashkëta. 

Kurse, presidenti Radev, sipas ZKM, është shprehur se ka ardhur në Kosovë për një mision të qartë.

“Ne kemi ardhur këtu me një mision të qartë: për të thelluar miqësinë dhe marrëdhëniet tona në të gjitha fushat e mundshme me interes të përbashkët, dhe për t’iu inkurajuar dhe mbështetur në përpjekjet tuaja për zhvillimin e Kosovës, si një shtet modern, demokratik, të pavarur e të integruar plotësisht në sistemin e komunitetit ndërkombëtar” – ka deklaruar presidenti Radev.

Presidenti Radev ka ritheksuar se Bullgaria është një vend mik i Republikës së Kosovës dhe se është i interesuar që të rritet dhe thellohet bashkëpunimi dypalësh duke veçuar sektorët e energjisë, edukimit dhe turizmit.

Në këtë takim është vlerësuar hapja e Odës Ekonomike Kosovë-Bullgari në muajin qershor të këtij viti, si dhe planifikimi i mbajtjes së Forumit të përbashkët Ekonomik vitin e ardhshëm, si një mundësi e mirë për të rritur raportet ekonomike.