Kurti: Është gabim të shtyhet votimi për Byonë Shtetërore

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti është deklaruar në lidhje me projektligjin për Byronë Shtetërore për Verifikimin dhe Konfiskimin e Pasurisë së Pajustifikueshme.

Kurti ka thënë se duke ditur se procesi i vetingut merr kohë, i vetmi efekt është që të shtyhet Byroja Shtetërore dhe kjo sipas tij është gabim.

“Duke ditur se procesi i vetingut merr kohë, i vetmi efekt është që të shtyhet Byroja Shtetërore dhe ky është gabim. Pra vetingu në drejtësi dhe Byroja Shtetërore për Verifikimin dhe Konfiskimin e Pasurisë së Pajustifikueshme janë dy gjëra të ndryshme”, tha Kurti.

Ai gjithashtu ka folur për kërkesën e subjekteve politike që vetingu dhe byroja të trajtohen si pako.

Kurti ka thënë se vetingu dhe byroja shtetërore nuk janë të njëjta.

“Duhet ta bëjmë ndarjen e qartë të gjërave që nuk janë të njëjta. Byroja Shtetërore për Verifikimin dhe Konfiskimin e Pasurisë së Pajustifikueshme dhe Vetingu në sistemin e drejtësisë nuk janë e njëjta gjë. Nuk është mirë të fusim gjithçka në një thes kur nuk e kanë vendin aty”, ka theksuar Kurti.

“Mos i fusni në një thes sepse nuk janë bashkë dhe nuk janë të njëjta. Njëra ka të bëjë me të gjithë zyrtarët shtetëror e tjetra me sistemin e drejtësisë. Për sistemin e drejtësisë ku duhet të ketë veting, jemi dakorduar dhe jam i gatshëm t’i vazhdojmë edhe më dendur takimet me krerët e subjekteve politike”, shtoi ai.

Lidhja Demokratike e Kosovës dhe Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës po kërkojnë që Projektligji për Byronë Shtetërore për Verifikimin dhe Konfiskimin e Pasurisë së Pajustifikueshme po kërkojnë të tërhiqet, duke kërkuar që ky projektligj të trajtohet si pako e reformës në drejtësi së bashku me procesin e Vetingut.

Mirëpo, ministrja e drejtësisë Albulena Haxhiu u shpreh se qëndrimi i qeverisë është që ky projektligj të vendoset sot në votim dhe më pas të gjitha rekomandimet e komisionit të Venecias të adresohen.

Kuvendi i Kosovës, në seancën e javës së kaluar nuk ka pasur kuorum për të kaluar Projektligjin për Byronë Shtetërore për Verifikimin dhe Konfiskimin e Pasurisë së Pajustifikueshme.

Votimi i projektligjit për Byronë Shtetërore për verifikimin dhe konfiskimin e pasurisë së pa justifikueshme ishte shtyrë në seancën e Kuvendit e cila ishte mbajtur në shkurt të këtij viti, për një afat të pa caktuar, deri në kthimin e përgjigjes nga Komisioni i Venedikut.

Kryetari i Kuvendit, Glauk Konjufca me kërkesë të opozitës pati thënë se do t’i drejtohet Komisionit të Venedikut për këtë projektligj.
 
https://kallxo.com/lajm/opozita-kerkon-terheqjen-e-projektligjit-per-byrone-shteterore-qeveria-e-vendosur-te-votohet-sot/