Kurti: Energjia solare dhe me erë, kanë potencial në Kosovë

Në Samitin e pestë për investime në Ballkanin Perëndimor, kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka thënë se Qeveria e udhëhequr nga ai do të përpiqet të ketë bashkëpunim rajonal mbi parimet e Bashkimit Evropian.

“Ne duam të kemi sa më shumë bashkëpunim rajonal ku vlerat e BE-së janë gjithmonë të ndërlidhura me fondet e BE-së, dhe në këtë mënyrë, kjo lidhshmëri, qoftë në aspektin e punës, energjisë apo infrastrukturës do të na ndihmojë, duke u bërë valë që shtyn të gjithë drejt integrimit dhe anëtarësimit në Bashkimin Evropian”, citohet të ketë thënë Kurti sipas komunikatës së Qeverisë.

Përveç kësaj, kryeministri Kurti ka përmendur edhe stabilitetin, rritjen ekonomike, fuqinë punëtore të re, si mundësi për të investuar më shumë në Kosovë.

“Ne e shohim tregun e punës si diçka të rëndësisë së lartë në aspektin makro-ekonomik dhe planifikimin për të ardhmen. Mendojmë se liberalizimi i tregut të punës ndodhë vetëm kur ka zotim të vërtetë të të gjashtë vendeve të Ballkanit Perëndimor”, citohet të ketë thënë tutje Kurti.

Kryeministri Kurti në këtë Samit ka thënë se janë duke ecur në drejtimin e njëjtë me Shqipërinë me themelimin e tregut të përbashkët të energjisë, i cili, sipas tij, pritet që të funksionalizohet këtë vit.

“Kriza aktuale ka treguar se duhet menduar për ndërtimin e kapaciteteve të reja të gjenerimit, dhe që duhet menduar në terma rajonalë. Kalimi jonë drejt prodhimit të energjisë së gjelbër nënkupton më shumë sisteme të integruara dhe kapacitete të gjenerimit të cilat mund ta balancojnë njëra-tjetrën më mirë”, ka theksuar ai.

Tutje në këtë Samit, sipas komunikatës së Qeverisë, Kurti ka bërë të ditur se Qeveria e Kosovës ka siguruar financimin e pothuajse të gjitha autoudhëve dhe hekurudhave të mëdha të cilat gjenden në Rrjetin trans-evropian të transportit.

“Jemi të vendosur në ndërtimin e pikë kalimeve kufitare të cilat kanë infrastrukturë cilësore dhe të cilat reduktojnë kohën dhe koston e udhëtimit për njerëzit dhe mallrat. Megjithatë, për të pasur integrim të plotë të rajonit ne mendojmë se duhen shtuar dy akse, njëra mes Prizrenit në Kosovë dhe Tetovës në Maqedoninë e Veriut, dhe tjetra është hekurudha ndërmjet Prishtinës dhe Durrësit në Shqipëri”, ka thënë ai.

Duke folur për Agjendën e gjelbër, kryeministri Kurti ka thënë se Kosova ka nevojë për tranzicion të shpejtë dhe rregullues,

“Duam gjithashtu të shfrytëzojmë mundësitë me planin ekonomik dhe investues për tranzicionin energjetik”, tha ai

Ai theksoi se janë duke hartuar politikën energjetike 2022-2030 për Kosovën, duke analizuar të gjitha elementet e nevojshme “që të kemi çmime të përballueshme, por në të njëjtën kohë furnizim të qëndrueshëm”.

“Do të fokusohemi shumë në diversifikimin, decentralizimin, efikasitetin, por në të njëjtën kohë do të na duhet ndërhyrje e caktuar në termocentralet ekzistuese për të ulur ndotjen. Energjia solare dhe me erë, të dyja kanë potencial në Kosovë”, ka shtuar tutje Kurti.

Ai ka veçuar punën që po bën qeveria në procesin e digjitalizimit në Kosovë, me synim të trefishtë: përmirësimin e llogaridhënies, transparencës dhe cilësisë së shërbimeve. Po ashtu, theksoi potencialin për zhvillim të mëtejmë të turizmit malor, si malet e Sharrit dhe malet e Rugovës.

Kryeministri Kurti shprehu solidaritetin dhe admirimin e tij për popullin e Ukrainës, presidentin Zelensky, për guximin dhe luftën e tyre çlirimtare kundër invazionit dhe agresionit ushtarak rus.

Samiti për Investime në Ballkanin Perëndimor ka për qëllim të nxjerrë në pah mundësitë për investime dhe biznes në rajonin e Ballkanit Perëndimor dhe të promovojë projekte rajonale dhe ndërkufitare.