Kurti: Ende nuk e kam parë vendimin e Gjykatës Supreme

Kryetari i Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti, në një tubim me qytetarët në Komunën e Prizrenit, ka folur rreth vendimit të Gjykatës Supreme, e cila ka vendosur që ta la jashtë listës së Lëvizjes Vetëvendosje për zgjedhjet e 14 shkurtit.

“Unë nuk e kam parë atë vendim. Kur të vjen në Lëvizjen Vetëvendosje do ta shikojmë dhe do të analizojmë se çfarë mund të bëjmë tutje”, ka thënë Kurti.

Gjykata Supreme ka njoftuar se ka pranuar pjesërisht ankesën e ushtruar nga Lëvizja Vetëvendosje në lidhje me heqjen nga lista të pesë kandidatëve për deputetë në zgjedhjet e 14 shkurtit.

“Ankesa e ushtruar nga subjekti politik Lëvizja Vetëvendosje, është pranuar pjesërisht e themeltë nga kolegji i Gjykatës Supreme. Është ndryshuar pjesërisht vendimi i PZAP-së, Anr.17/2021, dhe vendimi i Komisionit Qendror të Zgjedhjeve (KQZ) Nr.244-2021,  lidhur me certifikimin e kandidatëve për deputetë, duke urdhëruar KQZ-në, që kandidatët për deputetë Liburn Aliu dhe Labinotë Demi- Murtezi, t’i përfshijë në listën e kandidatëve për deputetë. Ndërkaq, është refuzuar pjesërisht e pabazuar ankesa e LVV-së, duke vërtetuar vendimin e PZAP-së”, thuhet në njoftimin e Gjykatës Supreme.

Tutje në njoftim thuhet se gjykata ka konstatuar se në lidhje me kandidatët për deputetë, Liburn Aliu dhe Labinotë Demi – Murtezi, PZAP ka bërë vlerësim të gabuar të afatit 3 vjeçar duke e llogaritur ditën e shpalljes së zgjedhjeve me datë 6 janar 2021 si ditë përfundimtare për të vlerësuar afatin 3 vjeçar për përshtatshmërinë e kandidatëve, në kuptim të dispozitës të theksuar.

“Gjykata Supreme e Kosovës ka vlerësuar se afati 3 vjeçar duhet të llogaritet duke ju referuar datës së aktgjykimit penal të formës së prerë për secilin kandidat veç e veç e deri në ditën e mbajtjes së zgjedhjeve, që në këtë rast është data 14 shkurt 2021”, thuhet tutje në njoftim.