Albin Kurti, Emilja Rexhepi dhe Adnan Redžeplar Foto: ZKM

Kurti emëron zëvendësministër të Mbrojtjes, anëtarin e koalicionit që PZAP ia anuloi mbi 580 vota në komunat serbe

Zyra e Kryeministrit ka njoftuar se Kryeministri Albin Kurti ka emëruar 8 zëvendësministra, duke e çuar në 11 numrin e zëvendësministrave të emëruar në qeverinë e tij.

Në Ministrinë e Mbrojtjes është emëruar zëvendësministër Adnan Redžeplar.

Redžeplar ka qenë kandidat për deputet me numër 2 në Koalicionin Vakat. Ai nuk kishte arritur të bëhet deputet për shkak se nuk i kishte marrë votat e mjaftueshme.

Sipas rezultateve përfundimtare, Redžeplar kishte marrë 1 mijë e 288 vota.

Paneli Zgjedhor për Ankesa dhe Parashtresa kishte marrë vendim që të ia anulonte mbi 580 vota Koalicionit Vakat.

Të gjitha votat iu ishin anuluan në komunat me shumicë serbe.

Në komunën e Novobërdës, PZAP kishte marrë vendim që të ia anulonte 255 vota. Në Komunën e Ranillukut ia kishte anuluar 211 vota. Në komunën e Parteshit 34 vota. Në komunën e Kllokotit 9 vota. Në komunën e Shtërpcës 8 vota dhe në komunën e Graçanicës 6 vota.

Në komunën e Leposaviqit ia kishin anuluar pjesërisht, 60 vota.

Në të gjitha këto komuna, numri i qytetarëve të komunitetit boshnjak është shumë i vogël.

Koalicioni VAKAT përfaqësohet në Kuvendin e Kosovës me një deputet, Bahrim Shabani.

Partitë boshnjake kishin akuzuar koalicionin VAKAT dhe Iniciativën e Adrijana Hoxhiq se kanë marrëveshje me Listën Serbe që të votohen nga serbët në Kosovë.

Diskutimit disajavor në Kosovë që ndodhi për votat e minoriteteve, iu kishte bashkangjitur edhe Kurti e Osmani.

Në një intervistë për RTV Besa, më 28 shkurt, Kurti kishte thënë se në këtë rast ka keqpërdorim dhe origjina është nga Beogradi.

“Si ish-kryeministër, e kryeministër i ardhshëm, shpreh pakënaqësinë time të thellë me këtë manipulim e keqpërdorim, origjina e të cilit nuk është fare në Kosovë por në Beograd”, kishte thënë Kurti për RTV Besa.

“Për fat të keq, ndërhyrja nuk mund të reduktohet këtu në ndërhyrje të Listës Serbe, kjo është ndërhyrje e drejtpërdrejtë e Vuçiqit, pra është ndërhyrje e një shteti, pra shtetit serb në një proces elektoral të një shteti tjetër, në këtë rast të Republikës së Kosovës, gjë që ndalohet edhe me drejtën ndërkombëtare”, kishte thënë Osmani në emisioni “Kallxo Pernime”.

KALLXO.com kishte raportuar se kryeministri Kurti ka emëruar zëvendësministër në Ministrinë për Komunitete dhe Kthim Gazmend Salikeviqin, nga Romani Iniciativa, të cilës PZAP ia kishte anuluar mbi 800 vota.

Kurti poashtu ka emëruar Qazim Rrahmanin zëvendësministër në Ministrinë e Financave, i cili ka qenë i dënuar për shkak të keqpërdorimit të detyrës zyrtare.

Kurti e bën zv.ministër të dënuarin për keqpërdorim të detyrës zyrtare