Foto: Urim Krasniqi/KALLXO.com

Kurti emëron edhe 8 zëvendësministra

Kryeministri i Republikës së Kosovës, Albin Kurti, në javën e dytë të marrjes së detyrës ka emëruar tetë zëvendësministra në tetë dikastere të ekzekutivit.

Zëvendësministrat e emëruar janë: Getoar Mjeku, zëvendësministër i Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Tregtisë, Nita Shala, zëvendësministre e Drejtësisë, Gazmend Salijević, zëvendësministër për Komunitete dhe Kthim, Adnan Redžeplar, zëvendësministër i Mbrojtjes, Sejnur Veshall, zëvendësministër i Kulturës, Rinisë dhe Sportit, Almir Veliji, zëvendësministër i Zhvillimit Rajonal, Avod  Dješević, zëvendësministër i Administrimit të Pushtetit Lokal, Qazim Rrahmani, zëvendësministër i Financave, Punës dhe Transfereve.
Deri më tani, me vendim të Kryeministrit të Republikës së Kosovës, janë emëruar 11 zëvendësministra.

Kryeministri Albin Kurti ka emëruar zëvendësministër të Financave Qazim Rrahmanin, i cili ishte dënuar për keqpërdorim të detyrës zyrtare.

“Të nderuar qytetarë, sot kam pranuar vendimin nga kryeministri z.Albin Kurti dhe zv/kryeministrja znj. Emilija Redžepi , të cilit më emëruan zv.ministër në Ministrin e Financave, Punës dhe Transfereve”, kishte shkruar Rrahmani në profilin e tij në Facebook në ditët që ishte emëruar.

Qazim Rrahmani ishte dënuar në tetor të vitit 2018 për keqpërdorim të detyrës, derisa po punonte si zëvendësministër në Ministrinë e atëhershme të Punës dhe Mirëqenies Sociale.

Po ashtu Kurti ka emëruar Gazmend Salikeviqin nga Romani Iniciativa, zëvendësministër në Ministrinë për Komunitete dhe Kthim. Romani Inciativa është e përfaqësuar në Kuvendin e Kosovës me një deputet.

Kjo parti ishte akuzuar se ka bashkëpunuar me Listën Serbe për të marrë vota në zonat ku jetojnë kryesisht serbë.

Madje, Paneli Zgjedhor për Ankesa dhe Parashtresa ia kishte anuluar mbi 800 vota këtij subjekti politik.

Të gjitha këto vota ishin anuluar në komunat me shumicë serbe në Kosovë.

PZAP i kishte anuluar votat e Romani Iniciativa në komunat e Parteshit, Kllokotit, Ranillugut e Novobërdës.