Foto: Urim Krasniqi/KALLXO.com

Kurti: Ekziston nevoja urgjente për të rritur ndjeshëm numrin e ushtarëve të NATO-s në Kosovë

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti ka deklaruar se ekziston nevoja urgjente për të rritur ndjeshëm numrin e ushtarëve të NATO-s në Kosovë, për shkak të kërcënimit nga Serbia dhe Rusia.

Kurti në një intervistë për median gjermane “Welt”, ka thënë se prezenca e më shumë trupave të KFOR-it në Kosovë, do ta ndihmonte vendin për të zgjeruar më tej strukturat dhe kapacitetet e sigurisë.

Sipas tij, rreth Kosovës janë 48 baza ushtarake serbe dhe se Rusia dhe Serbia punojnë ngushtë së bashku në politikën ushtarake.

“Për shkak të kërcënimit nga Serbia dhe Rusia, ekziston nevoja urgjente për të rritur ndjeshëm numrin e ushtarëve të NATO-s në Kosovë. Kjo patjetër do të përmirësonte sigurinë tonë. Do të na ndihmonte gjithashtu nëse më shumë ushtarë gjermanë do të merrnin pjesë në trupat mbrojtëse të NATO-s. Përveç kësaj, trupat e KFOR-it mund të na ndihmojnë për të zgjeruar më tej strukturat dhe kapacitetet tona të sigurisë”-ka thënë Kurti.

Kurti tutje ka thënë se trazirat e 31 korrikut nuk u shkaktuan nga qytetarët e thjeshtë të pakicës serbe në veri të Kosovës, por krimi i organizuar.

“Trazirat e 31 korrikut nuk u shkaktuan nga qytetarët e thjeshtë të pakicës serbe në veri të Kosovës, por nga krimi i organizuar dhe oligarkët, të cilët janë në listën e pagave të Serbisë dhe të cilët u informuan në takimet në Beograd se çfarë duhet të bëjnë në Kosovë”-ka deklaruar Kurti.

Kryeministri Kurti ka thënë se kontrollet e planifikuara kufitare për qytetarët serbë që duan të udhëtojnë në Kosovë dhe rregulloret e reja për targat do të zbatohen për një kohë të pacaktuar nga 1 shtatori.

“Por unë jam gati të shtrëngoj duart me Vuçiqin, nëse Serbia pranon të heqë dorë nga kontrollet kufitare në të ardhmen, atëherë ne do të bëjmë të njëjtën gjë”, ka shtuar ai.

Në Mitrovicën e Veriut pasi serbët lokalë më 31 korrik bllokuan rrugët që çojnë në dy pikëkalimet kufitare – Jarinjë dhe Bërnjak – që lidhin Kosovën dhe Serbinë, në shenjë pakënaqësie me dy vendimet e Qeverisë së Kosovës për targat dhe dokumentet serbe.

Kosova atë natë shtyu zbatimin e vendimeve deri më 1 shtator, ndërsa barrikadat u hoqën pasditen e 1 gushtit.

Ndërsa, më 18 gusht u mbajt takimi i fundit të nivelit të lartë në Bruksel mes kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti dhe presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, në të cilin palët nuk kanë arritur marrëveshje për këto çështje.

Gjatë kësaj jave, i dërguari amerikan për Ballkanin Perëndimor, Gabriel Escobar dhe i dërguari i posaçëm i Bashkimit Evropian për dialogun mes Kosovës dhe Serbisë, Mirosllav Lajçak, kanë realizuar vizita në Prishtinë dhe Beograd në përpjekje për të bindur palët që të arrijnë marrëveshje për tejkalimin e tensioneve në veri të Kosovës si dhe për çështjen e targave të veturave dhe dokumentet serbe.