Kurti: Ekstremistët të vihen para drejtësisë, pastaj zgjedhje të parakohshme

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, në një intervistë me NBC News, ka folur në lidhje me zgjedhjet e parakohshme që mund të mbahen në veri të vendit.

Kurti tha se nuk e konteston nevojën deri në një pikë për të mbajtur zgjedhjet të parakohshme, por sipas tij turmat ekstreme të dhunshme duhet të vihen para drejtësisë.

“Unë nuk e kontestoj nevojën deri në një pikë për të mbajtur zgjedhjet të parakohshme, mirëpo paraprakisht ne duhet ta kemi në vend sundimin e ligjit dhe këta ekstremistë të dhunshëm, këto turma duhet të përballen me drejtësinë dhe pastaj të krijojmë parakushte për fushatë të hapur dhe të drejtë dhe zgjedhje demokratike”- ka thënë Kurti.

Kru i ekzekutivit u shpreh se insiston për të krijuar parakushte për një fushatë të hapur dhe njëkohësish ka kërkuar ndihmë edhe nga bashkësia ndërkombëtare.

“Duhet të ndalojmë Beogradin që t’i ngacmojë ata, njerëzit duan të marrin pjesë, ata duan të dëgjohen por, Beogradi nuk dëshiron që të ketë më shumë se një parti për komunitetin serb. Beogradi dëshiron që vetëm Lista Serbe të përfaqësojë komunitetin serb, nuk mund të ketë demokraci pa pluralizëm politik, prandaj kjo është arsyeja që ne insistojmë për të krijuar parakushte për një fushatë të hapur dhe besoj se bashkësia ndërkombëtare mund të na ndihmojë shumë duke u mundësuar e serbëve  të shprehin dëshirat e tyre lirshëm për përfaqësuesit e tyre të zgjedhur”- deklaroi Kurti.

Ai tha se duhet siguruar që marrëveshja bazike e dakorduar në Bruksel të zbatohet teksa shton se për shtensionim të situatës “duhet që këto turma, këta ekstremistë të kthehen në Serbi prej nga kanë ardhur, ose të arrestohen në Kosovë”.

“Ne duhet të sigurohemi që të zbatohet marrëveshjen bazike të Brukselit e cila e ka njohjen de-facto, e ngjashme me modelin e dy Gjermanive. Për shtensionimm të situatës, duhet që këto turma, këta ekstremistë, të kthehen në Serbi prej nga kanë ardhur, ose të arrestohen në Kosovë. Dhe pastaj zgjedhje të hershme sigurisht. Nuk mund të vazhdojmë me 3% legjitimitet dhe në të njëjtën kohë BE-ja të jetë aktive në këtë dialog”- theksoi kryeministri.

I pyetur për një datë të caktuar për zgjedhje të reja, Kurti tha se javën e ardhshme emisari i BE-së për dialog, Mirosllav Lajçak, dhe i dërguari i posaçëm i SHBA-së për Ballkanin Perëndimore, Gabriel Escobar, do të vijnë në Kosovë dhe do të diskutojnë për detajet.

“Javën tjetër, Lajçak dhe Escobar do të vijnë në Kosovë dhe do të diskutojmë detajet. Besoj gjithashtu në zgjedhjet e hershme, por fillimisht kemi nevojë për sundim të ligjit dhe fushatë të drejtë para zgjedhjeve”- njoftoi Kurti.

Më tej, Kurti tha se Perëndimi është shqetësuar pasi kishin frikë se presidenti serb Aleksandar Vuçiq mund ta destabilizonte jo vetëm Kosovën por edhe rajonin.

“Çfarë kemi bërë, ishte detyra jonë. Sundimi i ligjit, respektimi i të drejtave të njeriut dhe respektimi i kryetarëve që u zgjodhën. Por papritmas ka pasur shumë shqetësime në anën demokratike perëndimore pasi presidenti serb mund ta destabilizojë jo vetëm Kosovën, por edhe rajonin”- ka thënë ai.

Kryeministri ka deklaruar se Policia e Kosovës nuk ka përdorur dhunë ndaj turmave në veri.

“Nuk ka prova që Policia e Kosovës përdori dhunë. Policia e Kosovës është më profesionalja në Ballkanin Perëndimor, ka qenë e trajnuar për 20 vite nga SHBA-ja, UK, dhe BE-ja. Në anën tjetër, kemi turmat, nuk është cështja tek serbët, është tek turma të caktuara që janë të orkestruara për të destabilizuar Kosovën”- u shpreh Kurti.

Gjithashtu, ai tha se Rusia nuk e do suksesin e Kosovës për shkak se është sukses i intervenimit të NATO-s dhe i zhvillimit demokratik.

Nga e hëna serbët në veri janë duke protestuar për të kundërshtuar idenë që kryetarët e rinj të ushtrojnë detyrat e tyre nga objektet komunale.
SHBA-të dhe BE vazhdimisht kanë kërkuar shtendosje të situatës në veri të Kosovës. Madje SHBA ka përjashtuar ushtrinë e Kosovës nga ushtrimi Defender 23 si pasojë për ‘mosdëgjimin’ që e ka bërë Qeveria e Kosovës.

SHBA po kërkojnë nga qeveria që kryetarët e ti të mos ushtrojnë detyrat e tyre nga objektet komunale dhe policia e Kosovës të largohet nga ato ndërtesa.

Për kryeministrin e Kosovës, Albin Kurti kryetarët duhet të ushtrojnë detyrat nga zyrat e tyre, sepse sipas tij ‘Kosovës nuk i duhet sistem paralel’.

Dje, Presidentja Osmani ka takuar presidentin e Francës, Emmanuel Macron dhe kancelarin e Gjermanisë, Olaf Scholz si dhe ka mbajtur një takim ‘joformal’ me presidentin serb Aleksandar Vuçiq.

Nga këto takime është propozuar ideja që në katër komunat veriore, Zveçan, Leposaviq, Zubin Potok e Mitrovicë të Veriut të përsëriten zgjedhjet edhe njëherë.