Foto: Antigonë Isufi/KALLXO.com
Kurti e vë Marrëveshjen e Brukselit para asaj të Uashingtonit
Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, parapëlqen që së pari të zbatohet Marrëveshja e Brukselit e arritur me Serbinë vitin e kaluar, e më pas të trajtohet ajo e Uashingtonit.
“Unë mund të jem përgjegjës për marrëveshjet në të cilat kam marrë pjesë, kam pranuar dhe pres të njëjtën gjë edhe nga Beogradi, edhe pse ata e shtypin dhe nuk e respektojnë këtë marrëveshje. Le të fillojmë me marrëveshjen e fundit, e cila është një marrëveshje gjithëpërfshirëse, sepse ajo normalizon marrëdhëniet ndërmjet Kosovës dhe Serbisë përmes njohjes de facto të njëra-tjetrës” – tha Kurti për media më 11.11.2024.
Më 18 mars 2023, Kosova dhe Serbia në Ohër të Maqedonisë së Veriut u dakorduan për Aneksin e zbatimit të Marrëveshjes drejt normalizimit.
Palët nuk e nënshkruan marrëveshjen, por BE-ja dhe Shtetet e Bashkuara janë deklaruar se pavarësisht se nuk është firmosur, ajo është marrëveshje e obligueshme për palët.
Marrëveshja, prej 11 nenesh, nuk përmend në mënyrë specifike njohjen e ndërsjellë. Megjithatë, dokumenti kërkon nga të dyja vendet që t’i pranojnë dokumentet dhe simbolet e njëra-tjetrës, përfshirë: pasaportat, diplomat dhe targat.
Marrëveshja tjetër, ajo e Uashingtonit ishte nënshkruar në pushtetin e kaluar.
Ish- kryeministri Avdullah Hoti dhe presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, arritën në shtator të vitit 2020 një marrëveshje për normalizim ekonomik në Shtëpinë e Bardhë, në prani të presidentit të asaj kohe të Shteteve të Bashkuara, Donald Trump.
Ndër të tjera, nga kjo marrëveshje Kosova siguroi njohjen nga Izraeli, ndërsa për një vit stopoi lobimin për anëtarësim në organizata ndërkombëtare dhe njohje të reja.