Kurti e Rizvanolli me thirrje për kursimin e energjisë, thonë se dy muajt e ardhshëm janë kritik

Kryeministri, Albin Kurti dhe ministrja e Ekonomisë, Artane Rizvanolli, kanë publikuar një video, ku kanë bërë thirrje për ta kursyer energjinë elektrike dhe kanë informuar për veprimet që kanë marrë për ta përballuar krizën energjetike.

Kurti tregoi që kanë ndarë 95 milionë euro për t`u përballur me këtë krizë dhe që nga shkurti kanë subvencionuar faturat e energjisë elektrike për të gjithë qytetarët.

“Kemi paguar 52 milionë euro për familje dhe mbi 37 milionë euro për biznese, për faturat e periudhës shkurt-dhjetor 2022. Që nga muaji shtator, kemi dhënë subvencion shtesë për mbi 200 mijë familje që kanë kursyer energjinë” – ka thënë kryeministri.

Ai po ashtu tregoi se prej tetorit kanë subvencionuar blerjen e pajisjeve efiçiente për ngrohje për mbi 8 mijë familje.

Ministrja Rizvanolli informoi që pas 4 vitesh rritje të konsumit të energjisë elektrike, në vitin 2022 për herë të parë është ulur konsumi nga familjet. Ajo tha se në nëntor familjet kanë shpenzuar 15% më pak se sa në vitin paraprak.

Ajo falënderoi qytetarët për kontributin e tyre në arritjen e këtij rezultati, ndërsa Kurti kërkoi nga ata që të vazhdojnë intensifikimin e kursimit të energjisë elektrike, duke thënë se 2 muajt e ardhshëm janë kritik në përballjen me krizën energjetike.

“Nëse keni mënyra të tjera të ngrohjes përveç energjisë elektrike, shfrytëzojini ato” – u shpreh ai.

Qeveria, siç tha Kurti do të bëjnë gjithçka për ta lehtësuar këtë krizë.