Kurti e Rizvanolli garantojnë siguri të furnizimit me rrymë dhe ujë të pijshëm pas sulmit në Ibër-Lepenc
Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, njofton se institucionet dhe ndërmarrjet publike në vend janë duke punuar për të garantuar siguri të furnizmit me energji elektrike dhe ujë të pijshëm.
“Institucionet dhe ndërmarrjet publike të Republikës së Kosovës janë duke punuar me dedikim për të garantuar siguri të furnizimit me energji elektrike dhe ujë të pijshëm për të gjithë qytetarët”- ka shkruar Kurti, më 30.11.2024.
Pas sulmit në kanalin e ujit në Iber-Lepenc, mbrëmjen e së premtes (29.11.2023), lokalitete të ndryshme në disa komuna të vendit, po ballafaqohen me mungesë të ujit të pijes.
Ndërkaq, ministrja e Ekonomisë, Artane Rizvanolli, përmes një video të publikuar në rrjetin social Facebook, është shprehur se për t’u ofruar qytetarëve furnizim me ujë deri në zgjidhjen përfundimtare të problemit, Kompanitë Rajonale të Ujit, Agjencia për Menaxhimin e Emergjencave, Zjarrfikësit e Kosovës dhe Korporata Energjetike e Kosovës kanë vendosur autobotët në disa pika.
Rizavnolli njofton se autobotët janë vendosur në Mitrovicën e Veriut – në Lagjen e Boshnjakëve, në Mitrovicën e Jugut – në tri lokacione përfshirë në sheshin e qytetit, në Zveçan – afër Kuvendit Komunal, si dhe në Drenas, Skenderaj dhe Fushë Kosovë ku gjatë ditës ka pasur reduktime.
Sipas ministres së Ekonomisë, rrjedha e ujit në Ibër-Lepenc ka kapacitet të mjaftueshëm për të furnizuar KEK-un me ujë, andaj “nuk ka frikë se mund të ketë probleme me reduktimet e rrymës”.
Një shpërthim ka ndodhur më 29.11.2024 në kanalin e ujit të Ibër-Lepencit në fshatin Vrragë të komunës së Zubin Potokut.
Qeveria e Kosovës thotë se ky sulm është dirigjuar e orkestruar nga Serbia e i kryer nga profesionistë. Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka konfirmuar se tashmë janë bërë arrestimet e para në lidhje me këtë rast.
Këtë sulm e kanë dënuar edhe nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe nga Bashkimi Europian.Përfaqësuesi i Lartë i Bashkimit Europian, Joseph Borrel e ka quajtur sulm terrorist shpërthimin në kanalin ujor të Ibër Lepencit në Varagë të Zubin Potokut.
Ministrja e Ekonomisë, Artane Rizvanolli, ka njoftuar më 30.11.2024 se pavarësisht dëmtimit që shpërthimi shkaktoi në kanalin e Ibër-Lepencit, kanë arritur të sigurojnë energji elektrike për vendin përmes vendosjes së gjashtë gypave të përkohshëm, me kapacitet të mjaftueshëm për të siguruar ujë për ftohjen e termocentralit “Kosova B”.
Për këtë çështje, Këshilli i Sigurisë së Kosovës ka mbajtur mbledhje të jashtëzakonshme në orën 1:30 të mëngjesit të sotëm (30.11.2024), ku ka diskutuar për këtë shpërthim. Në mbledhje, sipas një komunikate për media, u fol për ndërlidhjen e mundshme të rastit të djeshëm, me një sulm të ngjashëm rus në Ukrainë javën e kaluar.
Në këtë mbledhje janë diskutuar edhe masat emergjente që janë marrë dhe po merren për të zbutur pasojat e sulmit dhe për të garantuar sigurinë e infrastrukturës kritike në vend.Ndërkohë, ekipe të Misionit Paqeruajtës të NATO-s në Kosovë, KFOR, kanë dalë më 30.11.2024 në vendin e ngjarjes ku ka ndodhur shpërthimi.
Të gjitha lajmet rreth situatës pas shpërthimit në kanalin e ujit të Ibër-Lepencit mund t’i lexoni në artikullin e mëposhtëm.
Sulmi terrorist në kanalin e Ibër Lepencit – Lajm në Zhvillim