Kurti e refuzon Hoxhajn për debat – Nuk kam çka lypi, ata po bëjnë garë për të dytin

Ish kryeministri i Kosovës dhe kryetari i Lëvizjes Vetëvendosje ka refuzuar ftesën e kandidatit të PDK-së për kryeministër, Enver Hoxhaj për t`u ballafaquar në debat.

Kurti përmes një konferencë për media tha se ai nuk është në garë me kandidatët e tjerë.

“Është e vërtetë që në Kosovë ka një garë të ashpër mes dy partive të vjetra. Kjo garë është për vendin e dytë. Në atë garë, as unë e as zonja presidente, as s’kemi çka bëjmë as nuk kemi çka kërkojmë”, tha Kurti.

Sipas tij, debatet janë metoda të vjetra, sepse ai nuk është në garë për vendin e parë, por të tjerët janë në garë për vendin e dytë.

“Me metodat e vjetra nuk mund të bëhen zbulime të reja për këtë vit. Nuk është situatë e një shumësie partishë të barabarta të cilët mund të synojnë vendin e parë. Kjo tashmë është e qartë edhe sa i përket shumicës dërmuese. Ne nuk garojmë për vendin e parë. Ne me 14 shkurt duam të vulosim, vërtetojmë e dokumentojmë që jemi shumicë dërmuese në Kuvend”, tha Kurti.

“Ato qasjet e garave mes kandidatëve për kryeministra i përkasin të së kaluarës. Ata po flasin me mënyra të së kaluarës sepse kanë ngecur aty e duan të na kthejnë edhe neve atje”, tha ai.

Kandidati i Partisë Demokratike të Kosovës, Enver Hoxhaj përmes një konferencë për media e ka ftuar Albin Kurtin në 5 debate publike.

Hoxhaj fton Kurtin në 5 debate publike