Kurti e Rama pajtohen për formimin e një komisioni ndërshtetëror

Albin Kurti, kryeministër i Kosovës dhe Edi Rama, kryeministër i Shqipërisë, janë pajtuar që të formojnë një komision ndërshtetëror, i cili do të përbëhet nga ministrat e të dy qeverive.

Siç u tha në konferencën e përbashkët pas takimit, ky komision do të ndihmojë në realizimin e marrëveshjeve të deritanishme ndërmjet dy vendeve.

“Do të vendosim një komision ndërshtetëror për të ndjekur ecurinë e marrëveshjeve për të idendifikuar problematikat për zbatimin e tyre. Anëtarë të tij do të jenë ministrat nga dy qeveritë”, ka thënë Edi Rama.

Për këtë ide ka folur edhe shefi i ekzekutivit kosovar, Albin Kurti.

Ai tha se komisioni do të shoh ngecjet në marrëveshjet e të dyja vendeve por edhe do të propozoj marrëveshje të reja.

“U dakoduam që të formojmë një komision ndërshtetëror i përbërë nga ministrat dhe deputetet, që marrveshjet që janë nënshkruar të zbatohen e të shtohen me marrëveshje të reja”, tha Kurti.

Në ora 10:45, nikoqir i kryeministrit kosovar do jetë kreu i Kuvendit të Shqipërisë, Gramoz Ruçi.

Takim, i pari i qeverisë së Kosovës do të zhvillojë edhe me Presidentin e Shqipërisë, Ilir Meta. Takimi do të mbahet në Presidencën shqiptare prej orës 11:20.

Në mesditë, Albin Kurti pritet ta ketë një takim edhe me të parin e Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj.

Me këtë rast, kryebashkiaku nga Tirana do ta ndaj për Kurtin “Çelësin e Tiranës”.

Në fund të vizitës zyrtare, i pari i qeverisë ka paraparë një takim edhe me kryetarin e Partisë Demokratike, Lulzim Basha, në selinë e kësaj partie nga ora 12:20.

Së shpejti, Albin Kurti pritet ta zhvillojë edhe një vizitë tjetër zyrtare. Ditë më parë, ai pranoi një ftesë nga Kancelarja gjermane, Angela Merkel.