Kurti e Rama i shfaqin hapur qëndrimet për “Open Balkan”

Kryeministri i Kosovës Albin Kurti dhe ai i Shqipërisë Edi Rama kanë dhënë edhe njëherë qëndrimet e tyre për iniciativën “Open Balkan”.

Nisma “Open Ballkan” është iniciuar nga Serbia, Maqedonia e Veriut dhe Shqipëria, ndërkaq Kosova e kundërshton ashpër atë, duke e quajtur “iniciativë të rrezikshme”.

Pas mbledhjes së përbashkët të dy qeverive, në konferencë për media, kryeministri shqiptar Edi Rama tha se për këtë nismë është një debat i hapur mes tij dhe Kurtit.

“Për Ballkanin e Hapur është një debat i hapur mes meje dhe Albinit dhe mos prisni kurrë që mes meje dhe Albinit të gjitha debatet të jenë të mbyllura sepse pastaj i bie që ne të ndryshojmë emrat dhe të mos jemi ata që jemi”, tha ai.

“Mendoj që këto opinione të ndryshme në raport me Ballkanin e Hapur nuk përbëjnë asnjë pengesë për të fuqizuar marrëdhëniet mes nesh dhe nëse më lejoni t’i referohem shqiponjës me dy koka është një trup i vetëm ku njëra kokë sheh nga njëra anë dhe tjetra nga ana tjetër, por trupi qëndron drejtë, që do të thotë shqiponja është krejtësisht e informuar vizualisht në 360 gradë,. Prandaj mos keni asnjë dyshim që shqiponja me dy koka kapet në befasi pasi i kontrollon me sy të dyja anët”, shtoi Rama.

Ai tha se në këtë rast “ata janë shqiponjë me dy koka”.

“Është një vlerë e shtuar në këtë periudhë të historisë sonë që jemi shqiponjë me dy koka. Kur të jemi shqiponjë me një kokë, rreziku është që të kafshojmë veten më shumë sesa sot që nuk e kemi këtë luks dhe as këtë qëllim”, theksoi ai.

Kurse, kryeministri  i Kosovës, Albin Kurti tha se Kosova dhe Shqipëria po hapen me shpejtësi për njëra-tjetrën dhe “gjithçka tjetër në rastin më të mirë është e dorës së dytë”.

“Takimet tona e dëshmojnë që është e mundur që Kosova dhe Shqipëria të diskutojnë, të planifikojnë, të dakordohen edhe pa menduar e pa e përmendur fqinjin verior të Republikës së Kosovës, andaj besoj që duhet ta kemi një vlerësim edhe për këtë aspekt, meqenëse jemi dy shtete të pavarura dhe sovrane të cilat e kanë ndjeshmërinë për rajonin, e kanë synim BE-në mirëpo në të njëjtën kohë nuk kanë nevojë që sa herë të bashkëveprojnë ta përmendin fqinjin verior të Kosovës”, tha Kurti.