Kurti e Qalaj vizitojnë policinë në pikat e kontrollit në hyrje të Prishtinës

Kryeministri në detyrë Albin Kurti, së bashku me Drejtorin e Policisë së Kosovës , Rashit Qalaj kanë vizituar zyrtarët policorë të cilët janë vendosur në pika kontrolli në hyrje të Prishtinës.

Këtë vizitë e ka konfirmuar për KALLXO.com edhe Zëdhënësi i Qeverisë së Kosovës, Përparim Kryeziu.

“Po ka qenë në kuadër të vizitave në dy pika kontrolli të Policisë së Kosovës të vendosura në hyrje të Prishtinës, për shkak të futjes së Prishtinës në karantinë”, tha Kryeziu.

Pikat e vizituara nga Kurti e Qalaj janë ato të vendosura te “Rrethi i ETC-së” në Fushë Kosovë.

Prishtina tash e dy javë është në karantinë për shkak të numrit të lartë të të prekurve me coronavirus.

Zyrtarë të shumtë policor janë të vendosur në disa pika të ndryshme në lokacione ku mund të ketë hyrje për në kryeqytet.

Vendosja e zyrtarëve policor në këto pika është për të ndaluar hyrjen e personave në Prishtinë pa ndonjë leje të veçantë apo ndonjë emergjencë për shkak të parandalimit të përhapjes së coronavirus.

KALLXO.com ka siguruar edhe fotografi nga vendi i ngjarjes në lidhje me takimin e Qalajt dhe Kurtit.

Ditë më parë në disa portale ishte publikuar se në listën e personave të cilët do të shkarkoheshin nga pozita nga ana e Kurtit, ishte edhe Rashit Qalaj.

Një gjë të tillë e kishte mohuar për KALLXO.com edhe drejtori Qalaj por edhe Kryeministri Kurti në një intervistë për “Jeta në Kosovë”.