Kurti e premton edhe në Kuvend: Serbinë do ta padisim për gjenocid

Kuvendi i Kosovës është duke mbajtur seancë të jashtëzakonshme me pikën e vetme të rendit të ditës – Prezantimin e Programit të Qeverisë së Republikës së Kosovës për vitet 2021-2025.

Kryeministri i vendit, Albin Kurti gjatë fjalimit të tij tregoi planet e tyre në fushën e drejtësisë për të cilat thotë se do ta sjellin shtetin e së drejtës.

Kurti tha se do të themelojnë institutin për krimet e kryera gjatë luftës në Kosovë.

“Vettingu për gjykatës e prokurorë dhe nivele të larta të sigurisë, finalizimi i kodit procedurës penale, hetimi dhe konfiskimi i pasurisë së paligjshme e të pajustifikueshme dhe formimi i gjykatës komerciale administrative dhe asaj të punës do të jenë disa nga veprime konkrete që do ta sjellin shtetin e së drejtës. E për drejtësinë e vonuar nga krimeve nga Serbia 1998-1999, më në fund, do të bëjmë Institutin për Krimet e kryera gjatë luftës në Kosovë dhe do të ngrisim padi për gjenocidin e Serbisë në Gjykatën Ndërkombëtare të Drejtësisë”, u shpreh Kurti.