Kurti e Osmani në konsultim për zgjedhjen e shefit të ri të AKI-së

Që nga dhjetori i vitit të kaluar, Agjencia Kosovare e Inteligjencës ka mbetur pa drejtor, pasi Kreshnik Gashi ishte shkarkuar nga kjo detyrë me vendim të ish kryeministrit Avdullah Hoti dhe ushtrueses së detyrës së presidentes në atë kohë, Vjosa Osmani.

Deri më tani, kjo pozitë ka pasur ushtrues detyre.

Sipas Ligjit, drejtorin e AKI-së e emërojnë Kryeministri dhe Presidenti në koordinim.

Zëdhënësi i Qeverisë së Kosovës, Përparim Kryeziu tha në konferencë për media se kryeministri Kurti dhe presidentja Osmani janë duke u konsultuar dhe shumë shpejt pritet të merret vendimin për emërimin e drejtorit të ri të AKI-së.

“Emërimi i drejtorit të AKI-së bëhet në bashkëpunim dhe konsultim mes kryeministrit dhe presidentes. Ne jemi shumë të vetëdijshëm për seriozitetin dhe ndjeshmërinë e kësaj çështjeje. Po punojmë në vazhdimësi që kjo të përmbyllet sa më parë. Tashmë presidentja Osmani dhe kryeministri Kurti kanë shtuar konsultimet e tyre në këtë drejtim dhe besoj që shumë shpejt do të bëhet publik dhe do të emërohet drejtori i ri i AKI-së”, tha zëdhënësi i qeverisë.

Kryeministri kërkon largimin e Drejtorit të AKI