Foto: Vjosa Osmani/Facebook

Kurti e Osmani bashkë bëjnë homazhe te varri ish-presidentit Rugova

Ushtruesja e detyrës së presidentes, Vjosa Osmani dhe kryetari i Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti kanë bërë homazhe bashkë te varri ish-presidentit të Kosovës, Ibrahim Rugova në 15 vjetorin e vdekjes së tij.

Kjo është paraqitja e dytë së bashkë në ngjarje të tilla e Kurtit dhe Osmanit, pasi zyrtarizuan se në zgjedhjet e 14 shkurtit do të garojnë në një listë të përbashkët zgjedhore në atë të LVV-së.

Javën e kaluar Kurti e Osmani së bashku kishin bërë homazhe në përvjetorin e masakrës së Reçakut.

Kjo është hera e dytë që Kurti dhe Osmani bashkë bëjnë homazhe te varri ish-presidentit Rugova, pasi një gjë të tillë e kishin bërë vitin e kaluar më 17 shkurt, në përvjetorin e pavarësisë së Kosovës.

Kjo ishte hera e parë që Kurti në atë kohë në cilësinë e kryeministrit, bëri homazhe te varri i Rugovës.

Në anën tjetër, ushtruesja e detyrë së presidentes, Vjosa Osmani sot në këto homazhe, ka theksuar se Rugova u mësoi se synimet politike e shtetërore thjesht janë të mundura, nëse ekziston këmbëngulja për to.

“Sot, në 15-vjetorin e ndarjes nga ne, e rikujtojmë presidentin Rugova, njeriun i cili na mësoi se çfarë është liria, se si duhet kërkuar ajo e si duhet ngulur këmbë për të, deri në arritjen e plotë të saj. Ai na mësoi se synimet politike e shtetërore thjesht janë të mundura, nëse ekziston këmbëngulja për to”, ka shkruar ajo në Facebook.

Sipas Osmanit, Ibrahim Rugova mbetet përjetësisht themeltari i shtetit të Kosovës.

“Duke na mësuar se si ta duam lirinë, ai na e dha shembullin se si ta refuzojmë të keqen, ideologjinë, dhe ta krijojmë solidaritetin e papërsëritshëm ndërmjet nesh. Me të ne u çliruam përfundimisht nga frika dhe u mbështetëm në besimin e përbashkët duke u bashkuar rreth kauzës së lirisë e pavarësisë.  Ibrahim Rugova mbetet përjetësisht themeltari i shtetit të Kosovës, intelektuali i cili e humanizoi politikën dhe i hapi udhë vendit dhe gjithë rajonit që të shkëputej nga ideologjia komuniste e nga regjimi shtypës i Millosheviçit. I përjetshëm kujtimi për të”, thuhet në publikimin e saj.