Kurti: E largojmë masën nëse e largon edhe Serbia

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka theksuar përsëri se është i gatshëm të largojë masën për targa nëse njësoj vepron edhe Serbia.

“E kam bërë të ditur edhe në takimin e djeshëm më ambasadorët e QUINT-it dhe jam i gatshëm që në çdo kohë që këtë masë ta heq nëse kemi një zotim edhe nga pala e Serbisë. Policët kufitar asnjëherë nuk kanë kërkuar ose hulumtuar për përkatësinë e udhëtarëve, ata janë marrë me targat, nuk është shkelur asnjë e drejtë e qytetarëve”, tha Kurti.

Kurti u shpreh i gatshëm që të zhvillojë takime e bisedime për këtë çështje në Bruksel.

“Jam i gatshëm për takime e bisedime për këtë çështje. Lajçak dhe Borrel kanë kërkuar takime në Bruksel për t’u takuar për shtensionim të gjendjes, unë jam shprehur i gatshëm, mirëpo pasi që kanë marrë dakordimin tonë, në Beograd kanë marrë refuzimin për këtë çështje”, tha më tej ai.

Sipas Kurtit, prania e njësive speciale në veri të vendit është për mbrojtje të Policisë së Kosovës.

“Njësia speciale e policisë në pikat 1 dhe 31 është vetëm për të mbrojtur policët tanë, dhe për të mbrojtur pikat. Nuk kanë fare të bëjnë me qytetarët e vendit, por kanë të bëjnë me qarkullimin dhe zyrtarët në pikat kufitare”, tha Kurti.

(VIDEO) Vazhdon gjendje e njëjtë në Jarinjë