Foto: Urim Krasniqi/KALLXO.com

Kurti e Konjufca: Ndërhyrja e NATO-s në Kosovë mbanë vulën e Albright

Kryeministri Albin Kurti dhe kryeparlamentari, Glauk Konjufca kanë vlerësuar lartë kontributin e ish Sekretares së shtetit amerikan Madeleine Albright për lirinë e Kosovës.

Pas homazheve tek busti i saj, kryeparlamentari Glauk Konjufca tha se populli i Kosovës gjithmonë do ta kujtoj ish Sekretaren e shtetit amerikan, Madeleine Albright.

“Populli i Kosovës kurrë nuk do ta harroj, e gjithmonë do të jetë mirënjohës për kontributin e jashtëzakonshëm që e ka dhënë për çlirimin dhe lirinë e popullit tonë. Ajo së bashku me presidentin Kliton ishin forca kryesore shtytëse në planin ndërkombëtar për ta ndalë gjenocidin e shtetit të Serbisë mbi popullin e Kosovës”, tha ai.

Kryeministri Albin Kurti tha se Albright ka pasur një personalitet të jashtëzakonshëm.

“Politika, diplomacia dhe historia vështirë se kombinohen në një mënyrë më të përsosur sesa te personaliteti i jashtëzakonshëm i Sekretares, Madeleine Albright. Në politikë ishte historiane, në histori ishte diplomate ndërkaq në diplomaci ishte politikane”, tha Kurti.

Sipas tij ndërhyrja e NATO-s në Kosovë ka qenë meritë e Albright.

“Ndërhyrja e NATO-s për të ndalur gjenocidin në Kosovë me bombardimet kundër Jugosllavisë së Millosheviqit pa dyshim që mbanë vulën e Albright dhe ne do të jemi përjetë falënderues dhe mirënjohës”, tha ai.

Homazhe tek busti i Albright pritet të bëhen edhe grupi i grave deputete të Kuvendit të Kosovës.

Dje në moshën 84-vjeçare ka vdekur mikja e madhe e Kosovës, ish-Sekretarja amerikane e Shtetit, Madeleine Albright.

Ajo ishte në krye të diplomacisë amerikane në kohën e luftës në Kosovë dhe njëra prej përkrahësve më të mëdha të sulmeve ushtarake të NATO-s kundër forcave të Serbisë, të cilat po kryenin masakra kundër popullatës shqiptare të Kosovës.

Në shenjë nderimi për kontributin e saj për çlirimin e Kosovës, në Prishtinë është ngritur busti i saj dhe një shesh mban emrin e saj.

Vdes mikja e madhe e Kosovës, Madeleine Albright