Kurti e Konjufca kujtojnë veprimtarin Bahri Fazliu

 

Kryeministri i vendit, Albin Kurti dhe kryeparlamentari, Glauk Konjufca kanë bërë homazhe te varri i veprimtarit Bahri Faziu.

Kryeministri Albin Kurti vlerësoi lartë veprën e Fazliut për çlirimin e vendit, duke thënë se kujtimi për të është i pashlyeshëm.

“Bahri Fazliu ishte luftëtar edhe para luftës, që punonte për të përgatitur luftën çlirimtare që do të vijë në fund të viteve të 90-ta. Ishte njëri i pasionuar për dije dhe liri, ai lexonte shkruante dhe luftonte me këtë renditje dhe nuk u ndal asnjëherë, e nuk ndalet as sot e kësaj dite, sepse shkrimet e tij do të jenë përherë të vlefshme, ndërsa kujtimi për të, i pashlyeshëm”, tha Kurti.

Ndërsa Kryeparlamentari, Galuk Konjufca tha që Bahri Fazliu ka qenë njëri i pendës dhe pushkës, varësisht siç ka pasur nevojë vendi.

“Kur ishte nevoja shkruante me pendë, e kur erdhi koha edhe luftoi me pushkë, edhe ra dëshmorë me pushkë në dorë, për lirinë e kombit tonë edhe në këtë mënyrë ai do të kujtohet dhe ndërtohet gjithmonë”, tha Konjufca.

Sot bëhen 23 vite që kur në vendin e quajtur Bogiqe të Malit të Zi bie heroikisht Bahri Fazliu. Fazliu ishte anëtar i LKÇK-së dhe pjesëtar i Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.

Për disa vjet jetoi në ilegalitet dhe ishte kryeredaktor i revistës “Çlirimi”, e cila botohej nga LKÇK-ja.