Albin Kurti & Ramush Haradinaj Foto: KALLXO.com

Kurti e Haradinaj përplasen për aksionet e Policisë në veri, përmendet edhe Milan Radoiçiq

I pari i Qeverisë së Kosovës, Albin Kurti iu është përgjigjur akuzave të ish-kryeministrit Ramush Haradinaj i cili tha se dy aksionet e fundit të Policisë së Kosovës që u zhvilluan ne 4 komunat veriore, kanë pasur “qëllim që të dorëzohet veriu”.

“Fjala e deputetit Haradinaj është sulm në moralin e policit të Kosovës që ai kur të shkoj në veri të ketë dilema. Por kot e keni zoti Haradinaj morali i policit të Kosovës është shumë i lartë”, ka thënë Kurti.

Ai shtoi se në veri të Ibrit ka më shumë rend e ligj tani sesa kurdoherë tjetër që nga shpallja e pavarësisë dhe se asnjë barrikadë nuk ka në veri të Kosovës.

Tutje Kryeministri Kurti tha se ka punë e sfida dhe se të njëjtat janë të trashëguara.

“Një nga një e krejt do t’i zgjidhim”, tha Kurti.

I njëjti shtoi se veriu ka qenë i rrezikuar atëherë kur deputeti Haradinaj e priste në zyre Millan Radojiqiq, atë herë ka qenë veriu i rrezikuar.

“Rreziku ka qenë nga marrëveshjet gjentëllmene me kriminel. Nuk e rrezikon veriun polica. Në korrik 2018 ka qenë rrezik”, tha Kurti në foltore.

Në këtë seancë plenare Hardinaj në tha se të dy operacionet e Policisë së Kosovës kanë bërë që Kosova të dal më e dobët dhe se janë bërë me qëllim që Kosova ta dorëzoj veriun.

“Ata që merren me rendin dhe ligjin e dinë se Kosova sot është më e dobët në veri pas këtyre dy operacioneve”, tha Haradinaj.

I njëjti tha se në aksionin e parë Policia është mbajtur pengë në pikat doganore.

“Edhe një i sëmurë polic nuk ka mujt me u bajt me ardh deri në spital”, vazhdoi ai.

Haradinaj shtoi se në aksionin e dytë Policia ka mbërri mjaftueshëm me qenë në konflikt me grupet kriminale.

Në fund ai kërkoi sqarime të dijë se pse pas proceseve që janë kaluar prapë Policia po pengohet në vend

“Pse pasi që ju paguhet rryma dy herë nga 11 milion. Pse Policia jonë duhet me u mbajt pengë prej grupeve kriminale, pse duhet me u marr vesh me ata për me u tërheq?”, tha ai.

Tutje përfundoi duke thënë se dy vite më herët, Policia nuk është penguar asnjëherë në veri.

“Policisë sonë nuk ka guxu me i dal askush në rrugë në veri”, tha ai.