Kurti e Hajdari denoncojnë keqpërdorimet në ndërmarrjet publike

Kryeministri në detyrë i Kosovës, Albin Kurti dhe ministrja në detyrë e Ekonomisë, Rozeta Hajdari përmes një video-mesazhi u janë adresuar mediave dhe qytetarëve.

Kurti ka deklaruar se në ndërmarrjet publike gjatë veprimit të tyre kanë hasur në dëshmi e të dhëna të cilat padyshim do t’i paraqesin në organet e hetimit.

“Kemi hasur po ashtu në praktika gati banditeske jashtë çdo standardi minimal etik që domosdoshmërisht duhet të mbizotërojë në institucionet publike. Këto praktika janë shprehur brutalisht këto ditët e fundit, sikurse në rastin e ish kryeshefit të Telekomit, cili bashkë me persona të paautorizuar ka ndërprerë punën e bordit të përkohshëm. Obstruksioni me metoda të forcës a kërcënimit ndaj drejtuesve të rinj të ndërmarrjes publike është rast për organet e rendit dhe drejtësisë.Le të mos orvatet asnjëri dhe askush në frikësimin e lëre më kërcënimin e anëtarëve të rinj të bordeve ngase do të përballet me forcën e ligjit, si asnjëherë më parë”, ka deklaruar Kurti.

Kurse ministrja Hajdari ka numëruar të gjitha shkeljet që kanë çuar deri në shkarkimet e bordeve dhe menaxhmenteve nëpër ndërmarrjet publike.

Fjalimi i plotë i kryeministrit në detyrë, Albin Kurti:

Paraprakisht gjej rastin të falënderoj në emër të Qeverisë së Republikës së Kosovës punëtorët dhe specialistët e Ndërmarrjeve tona publike të cilët janë duke punuar e ofruar shërbimet jetike për vendin tonë në këto kohë të vështira të pandemisë COVID-19.

Motivi i këtij falënderimi lidhet padyshim edhe me rolin e tyre të patjetërsueshëm që megjithatë kanë bërë në mbrojtjen e ndërmarrjes ku janë pjesë. Falë tyre shumë ndërmarrje edhe pse me goditje të orkestruar nga ish drejtuesit e menaxherët e lartë, nuk kanë falimentuar.

Shumë tajkunë në vendin tonë u bënë të tillë në një masë të konsiderueshme duke gërryer depozitën e madhe të pasurisë publike të ndërtuar me mundin e qytetarëve apo të trashëguara nga gjeneratat paraprake. Kështu mijëra kontrata, miliona fonde dhe mungesa e besnikërisë së ish drejtuesve publikë krijuan kushtet që shërbimet publike të këtyre ndërmarrjeve për çdo sezon të merrnin goditje derisa shumë prej tyre mbetën pa të ardhura dhe me vështirësi për të paguar vetë punëtorët.

Ndërmarrjeve tona ua grabitën hapësirën për afarizëm, duke grumbulluar fitime shpesh jo të ligjshme prej tenderëve të kurdisur e kontratave të dëmshme, dhe duke krijuar përshtypjen shoqërore se enti publik nuk ka mundësi të operojë në kushtet e ekonomisë së tregut. 

Teksa dëgjohen me zë të lartë pretendimet për konkurrencën e lirë, jemi dëshmitarë të përdorjes së saj si alibi për t’ia marrë punën nga dora punëtorit të ndërmarrjes publike për ta kthyer atë në një kontratë ku gjithnjë humb ndërmarrja publike.

Njëjtë edhe për politikën e burimeve njerëzore, ku ata që dinin e guxonin u shtynë të dalin jashtë, të dorëzohen, pasivizohen, apo të largohen. Në shumë raste kërkesa për specialistët ka qenë heshtja dhe mospuna e detyruar, ngase produkti potencial i punës së tyre është llogaritur të nënkontraktohet nga jashtë. Kështu kemi ardhur në situatën që specialistët e fushës, kryesisht inxhinieret dhe inxhinierët e të gjitha fushave të gjenden masivish jashtë enteve publike, duke e privuar publikun nga dobitë e dijes dhe potencialit të tyre.

Këto kanë ngjarë në Telekom, Postë, në KEK, në gati të gjitha ndërmarrjet për ujësjellës e kanalizime, në Trepçë, Infrakos etj.

Ne jemi të vendosur që t’i kthejmë ndërmarrjet publike, sipas profilit të tyre, nga katandisja në kërkimin e subvencioneve për çdo muaj, në organizma që prodhojnë vlerë të shtuar ekonomike e publike.

Andaj siç e kemi paraqitur shumë qartë besoj, politika jonë qeveritare ka qenë:

a. ndërrimi rrënjësor i mënyrës së drejtimin të ndërmarrjeve tona të cilat ofrojnë shërbimet jetike për vendin tonë

b. largimi i zyrtarëve që me veprimin a heshtjen e tyre e kanë toleruar një situatë të tillë rrënuese për shërbimet publike dhe financat e tyre

c. Çeljen e rrugës me bordet e përkohshme dhe drejtuesit e ri për vendosjen e rregullit, praktikave normale të menaxhimit dhe përgatitjen e kushteve për rekrutimin e specialistëve që do t’i drejtojnë sipas mandatit të plotë ato.

Në veprimin tonë për realizimin e këtyre synimeve kemi hasur në dëshmi e të dhëna të cilat padyshim do të paraqiten për në organet e hetimit. Kemi hasur po ashtu në praktika gati banditeske jashtë çdo standardi minimal etik që domosdoshmërisht duhet të mbizotërojë në institucionet publike. Këto praktika janë shprehur brutalisht këto ditët e fundit, sikurse në rastin e ish kryeshefit të Telekomit, cili bashkë me persona të paautorizuar ka ndërprerë punën e bordit të përkohshëm. Obstruksioni me metoda të forcës a kërcënimit ndaj drejtuesve të rinj të ndërmarrjes publike është rast për organet e rendit dhe drejtësisë.

Le të mos orvatet asnjëri dhe askush në frikësimin e lëre më kërcënimin e anëtarëve të rinj të bordeve ngase do të përballet me forcën e ligjit, si asnjëherë më parë.

Më poshtë mund të lexoni arsyet që kanë çuar në shkarkime të bordeve.

Qeveria rendit arsyet për shkarkimin e Bordit të “Ibër-Lepencit”

Qeveria tregon arsyet për shkarkimin e bordit të ndërmarrjes “Hidroregjioni Jugor”

Arsyet që çuan në shkarkimin e Bordit të KEK-ut nga Qeveria Kurti

Qeveria i tregon arsyet e shkarkimit të dy anëtarëve të Bordit të Telekomit