Takimi i kryeministrit të Kosovës Albin Kurtit dhe ministres së Jashtme, Donika Gërvalla, me kryeministrin e Maqedonisë së Veriut, Dimitar Kovaçevskin në Gjermani, Foto: Twitter

Kurti e Gërvalla takojnë kryeministrin e ri të Maqedonisë së Veriut

Në Mynih të Gjermanisë në kuadër të Konferencës së Sigurisë, kryeministri i Kosovës Albin Kurti dhe ministrja e Punëve të Jashtme, Donika Gërvalla kanë takuar kryeministrin e ri të Maqedonisë së Veriut, Dimitar Kovaçevskin.

Kurti ka shkruar në Twitter se do të punojnë për të kapërcyer sfidat e përbashkëta dhe për të rritur bashkëpunimin ekonomik mes dy vendeve.

“Me ministren  e Punëve të Jashtme Donika Gërvalla, e përgëzova Dimitar Kovaçevskin për rolin e tij të ri si kryeministër i Maqedonisë së Veriut. Marrëdhëniet tona të fqinjësisë së mirë bazohen në respektin e ndërsjellë dhe vlerat e përbashkëta. Ne do të punojmë së bashku për të kapërcyer sfidat e përbashkëta dhe për të rritur bashkëpunimin tonë ekonomik”, thuhet në publikimin e Kurtit.

Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani dhe kryeministri i Kosovës, Albin Kurti po qëndrojnë në Mynih të Gjermanisë.

Në dhjetor të vitit 2021, presidenti i Maqedonisë së Veriut, Stevo Pendarovski e kishte mandatuar kryetarin e Lidhjes Social Demokrate (LSDM), Dimitar Kovaçevski për postin e kryeministrit.

Kovaçevski dekretin e mori në kabinetin presidencial, pasi LSDM-ja paraprakisht e kishte njoftuar përmes një letre se ka siguruar shumicën në Kuvend për votimin e Qeverisë së re.