Kurti e bën zv.ministër të dënuarin për keqpërdorim të detyrës zyrtare

Kryeministri Albin Kurti ka emëruar zëvendësministër të Financave Qazim Rrahmanin, i cili ishte dënuar për keqpërdorim të detyrës zyrtare.

“Të nderuar qytetarë, sot kam pranuar vendimin nga kryeministri z.Albin Kurti dhe zv/kryeministrja znj. Emilija Redžepi , të cilit më emëruan zv.ministër në Ministrin e Financave, Punës dhe Transfereve”, ka shkruar Rrahmani në profilin e tij në Facebook.

Qazim Rrahmani ishte dënuar në tetor të vitit 2018 për keqpërdorim të detyrës, derisa po punonte si zëvendësministër në Ministrinë e atëhershme të Punës dhe Mirëqenies Sociale.

Aktakuza e Prokurorisë thoshte se Rrahmani, deri sa ishte zëvendësministër në MPMS, nga qershori i vitit 2015 e deri në janar të  vitit 2016, ka nxjerrë nga kartela bankare e destinuar për udhëtime zyrtare shumën mbi 12 mijë euro.

Tutje sipas aktakuzës, Rrahmani i kishte kthyer 7 mijë e 504 euro, ndërsa 4 mijë e 858 euro nuk i kishte kthyer në Ministri.

Gjykata e Prishtinës pasi kishte gjetur fajtor Rrahmanin, e kishte dënuar me 6 muaj burgim, dënim ky i cili me pëlqimin e të akuzuarit  ishte zëvendësuar në dënim me gjobë në shumë prej 3 mijë eurosh.

Andaj, aktgjykimi dënues më 9 nëntor 2018 kishte marrë formën e prerë, duke detyruar të njëjtin që shumën prej 3 mijë eurove ta paguajë në 6 këste.

Vitin e kaluar, KALLXO.com kishte raportuar se si Qazim Rrahmani nuk e kishte paguar borxhin e tij si pjesë të dënimit.

Ndërsa pas raportimit të KALLXO.com se ai nuk ka paguar dënimin, ai kishte shkuar dhe e kishte kryer obligimin, duke paguar atë.

KALLXO.com ka kontaktuar me Rrahmanin. Ai tha për KALLXO.com se nuk ka asnjë aktakuzë dhe lëndë gjyqësore.

“Unë nuk kam asnjë lëndë në procese gjyqësore, nuk kam asnjë aktakuzë. Ka qenë rasti më herët, u kry ajo punë. Nuk kam qenë kurrë i korruptuar. Unë kam përvojë politike, çka do që më kërkohet të bëjë, do e kryejë me nder e përgjegjësi. Do të mundohem të jap kontributin tim”, tha Qazim Rrahmani për KALLXO.com

I pyetur nëse kryeministri Albin Kurti e ka pyetur në lidhje me dënimin që ka marrë nga Gjykata, Rrahmani nuk e ka komentuar.