Foto: ZKM/17.01.2022

Kurti: ‘DokuFest’, ngjarja më e madhe kulturore e ndërkombëtare në Kosovë

Me rastin e fillimit të ediconit të 21-të të festivalit ndërkombëtar të filmit dokumentar dhe atij të shkurtër, Dokufest, kryeministri i Kosovës, Albin Kurti e ka quajtur si ngjarjen më të madhe kuturore e ndërkombëtare në vend.

Kurti ka thënë se se DokuFest është institucion i rëndësishëm i krijimtarisë dhe edukimit artistik dhe se premton një javë plot shkëlqim në qytetin e Prizrenit.

“DokuFest është ngjarja më e madhe kulturore ndërkombëtare në Kosovë. Më shumë se vetëm ngjarje, DokuFest është institucion i rëndësishëm i krijimtarisë dhe edukimit artistik. Ndonëse ka hyrë në dekadën e tretë të ekzistencës, festivali asnjëherë nuk e humbi magjinë e vet. Përkundrazi, edhe ky edicion që nisi mbrëmë, premton një javë plot shkëlqim mbi gurët e monumenteve të Prizrenit”, ka shkruar Kurti në Facebook.

“DokuFest është mënyra më efektive për t’ia rrëfyer botës krijimtarinë dhe potencialin tonë artistik, zellin e talentin rinor. Ai është edhe ekonomi për qytetin, edhe vullnetarizëm për rininë, edhe rrjetëzim për artistin, edhe kulturë për turistin”, shtoi ai.

Kurti theksoi se ka qenë pjesëmarrës i edicioneve të festivalit DokuFest duke shtuar se tani është me përgjesi shtesë pasi është në krye të Qeverisë.

“Si adhurues i kinemasë dhe i qytetit të Prizrenit, natyrshëm kam qenë pjesëmarrës i rregullt i edicioneve të festivalit. Tash me përgjegjësi shtesë, në krye të Qeverisë që po e realizon reformën më të madhe kulturore ndonjëherë në vend, që DokuFest dhe pjesa tjetër e skenës së pavarur kulturore të gëzojnë mbështetje të rritur dhe partneritet strategjik për nevojat zhvillimore dhe diplomatike të shtetit tonë”, është shprehur Kurti.

Më tej, kreu i ekzekutivit ka shprehur se ky edicion  është mundësi e mirë dhe arsye e fuqishme për të shprehur mirënjohjen për siç ka thënë ai “ata që patën guxim në fillim”.

“Edicioni XXI është mundësi e mirë dhe arsye e fuqishme për të shprehur mirënjohjen tonë të thellë për ata që patën guxim në fillim. Dhe pastaj edhe vizion, durim e përkushtim. Faleminderit Veton, Aliriza, Samir, Eroll B, Linda, Nita, Eroll Sh, Alba, Jeton, Orhan, Burim, Dafina, Ares dhe plot të tjerë deri te mijëra vullnetarë përgjatë viteve e dekadave. Filmat, mbrëmjet e muzikës, punëtoritë, ngjarjet e tjera, një program fantastik sivjet. Gjatë këtyre tetë ditëve, do të më shihni sërish në Prizren. Magjia rifilloi”, shkruan Kurti.

“Zjarri i Dashurisë” ka qenë filmi që ka hapur edicionin e 21-të të festivalit ndërkombëtar të filmit dokumentar dhe atij të shkurtër, Dokufest në qytetin e Prizrenit.

Filmi hapës është i regjisores amerikane, Sara Dosa, e cila është fituese e çmimit Peabody, si dhe është nominuar për çmimet, Emmy dhe Independent Spirit përgjatë karrierës së saj.

Festivali që ka nisur më 5 gusht, do të zgjasë deri më 13 gusht dhe përgjatë këtyre ditëve do të shfaqen 250 filma.