Kurti: Do t'i shtojmë masat e kufizimit në Malishevë

Kryeministri në detyrë i Kosovës, Albin Kurti, sot së bashku me ministrin e Shëndetësisë, Arben Vitia dhe ministren e Administrimit të Pushtetit Lokal, Emilia Rexhepi e kanë vituar komunën e Malishevës, e cila është komuna me më së shumti të prekur me coronavirus.

Kurti ka thënë që në mënyrë që të mos ketë më shumë të infektuar në Malishevë do t’i shtojnë masat e kufizimit.

“Por tash kemi nevojë në një komunë si Malisheva, që është goditur më së shumti, ta ndihmojmë më shumë por edhe t’i kemi masat më rigoroze të izolimit, vetizolimit në mënyrë që në muajin prill të mos kemi ngritje të lakores së shpërndarjes që do të na bënte pjesë të këtyre vendeve të tjera të Europës dhe botës që kanë pësuar rëndë”, ka thënë Kurti në Malishevë.

Ai ka shtuar që duhet të ketë bashkëpunim maksimal mes nivelit qendror dhe komunal në mënyrë që të shpërndahet sa më pak coronavirusi.

“Në njërën anë e kemi sektorin e shëndetësisë në nivel jo të kënaqshëm e në anën tjetër e kemi popullsinë e varfër dhe duhet që si institucione qendrore dhe komunale të bashkëpunojmë maksimalisht në mënyrë që sa më pak të shpërndahet COVID-19 prandaj do të na duhet t’i shtojmë masat e kufizimit, për këtë gjë, kryetari Ragip Begaj dhe ministri i Shëndetësisë Arben Vitia do të jenë në kontakt të drejtpërdrejtë, në komunikim të vazhdueshëm në mënyrë që mos të kemi edhe më shumë të infektuar”, ka thënë Kurti.

Nga ana tjetër, kryetari i Komunës së Malishevës, Ragim Begaj ka theksuar që pret përhrahje më shumë nga Qeveria e Kosovës për shkak se kjo komunë është më e prekura nga coronavirusi.

“Jemi në momentet më të vështira të situatës së këtyre infektimeve. Bashkëpunimi jonë do të rritet dhe po besoj që Qeveria e Kosovës do ta ketë një përkujdesje më të madhe për Malishevën për shkak të rrethanave që kanë ndodhë në Malishevë. Po pres një përkrahje më të fuqishme në ditët e fundit. Qendra e Mjekësisë Familjare është e pajisur duke iu falënderu Ministrisë së Shëndetësisë por situata e Malishevës është më alarmante për shkak të infektimeve që i kemi. Dhe besoj që edhe këta do të kenë interesim shtesë dhe përkujdesje shtesë për Malishevën”, ka përfunduar Begaj.

Të dy, Kurti dhe Begaj kanë bërë thirrje që qytetarët të ndjekin rekomandimet dhe udhëzimet e IKShP-së në mënyrë që mos të ketë rritje të numrit të të prekurve me coronavirus.

Dje, në mbledhjen e 24 të Qeverisë së Kosovës, është autorizuar Ministria e Shëndetësisë që në bashkëpunim me komunat t’i përcaktojnë masat që do t’i ndërmarrin në parandalimin e shpërndarjes së coronavirusit.

Masat aktuale të marra nga Qeveria e Kosovës janë në fuqi deri në 12 prill. Kjo pas Gjykata Kushtetuese ka vendosur që vendimi i marrë nga Qeveria e Kosovës për kufizimin e lëvizjes së lirë të qytetarëve është jo kushtetues.

Që nga 13 marsi, kur është shënuar personi i parë i prekur me coronavirus, e deri më sot, janë regjistruar 224 të prekur, 37 të shëruar dhe 6 të vdekur.