Kurti do të takojë Vuçiqin, të pranishëm në takim Merkel dhe Macron
Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti në kuadër të Samitit BE-Ballkani Perëndimor do të takojë presidentin e Serbisë, Aleksandar Vuçiq.
KALLXO.com mëson se takimi mes Kurtit Vuçiqit do të mbahet me prezencën edhe të kancelares së Gjermanisë, Angela Merkel dhe presidentit të Francës, Emmanuel Macron.
Takimi i tyre vjen pas zhvillimeve të fundit rreth targave të veturave të Kosovës dhe Serbisë.
Kryeministri i Kosovës Albin Kurti ka përmendur mosliberalizimin e vizave për Kosovën, në hyrje të Samitit BE-Ballkani Perëndimor që po mbahet sot në Brdo të Sllovenisë.
“Kanë kaluar më shumë se 3 vjet që prej kur Komisioni Evropian rekomandoi për herë të dytë liberalizimin e vizave për qytetarët e Kosovës. Ka qenë një padrejtësi e madhe për qytetarët tonë të cilët kanë vuajtur shumë. Ne jemi më shpresë që ky Samit do të bëjë që BE-ja t’i qëndrojë besnikë esencës së vet, e që është zgjerimi. BE-ja duhet të zgjerohet që të jetë Evropë”, tha ai në hyrje të këtij samiti para mediave.
Kurti tha se shpreson që pesë vendet e BE-së që se kanë njohur pavarësinë e Kosovës, të bëjnë një gjë të tillë.
Udhëheqësit e Bashkimit Evropian dhe Ballkanit Perëndimor do të takohen sot në Brdo të Sllovenisë në kuadër të Samitit BE-Ballkani Perëndimor 2021.
Në këtë samit po merr pjesë edhe kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, i shoqëruar nga zëvendëskryeministrja, njëherit ministrja e Punëve të Jashtme, Donika Gërvalla dhe ministri i Financave, Punës dhe Transfereve, Hekuran Murati.
Presidenti i Këshillit Evropian, Charles Michel do të kryesojë samitin. Këshilli i BE-së ka bërë të ditur agjendën e sotme të diskutimeve.
Të mërkurën do të flitet për perspektivën evropiane të Ballkanit Perëndimor, rimëkëmbjen pas COVID-19, paketën e investimeve të BE-së prej 30 miliardë eurosh, rritjen e bashkëpunimit rajonal dhe bashkëpunimin në çështjet e sigurisë.
KALLXO.com sot do të ju mbajë të informuar për zhvillimet gjatë këtij samiti.