Kurti: Do të shkoj nesër në takimin e thirrur nga Thaçi

Kryeministri në detyrë i Kosovës, Albin Kurti, ka bërë të ditur se do të marrë pjesë në takimin e nesërm të thirrur nga presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi.

“Do të shkoj nesër në takim si kryeministër në detyrë që ta paraqesë në hollësi qëndrimin tim dhe qëndrimin tonë, duke mos e konsideruar si konulltim për qeveri sepse do të ishte një lloj shkelje kushtuese për shkak se nuk ndodhemi në një situatë paszgjedhore”, tha Kurti në një intervistë në KTV.

Dje, presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, i ka dërguar ftesë zyrtare kryetarit të LVV-së, Albin Kurti, për t’u takuar të mërkurën (1 prill).

Takimi ka të bëjë me hapat e ardhshëm që do të ndërmerren pas rrëzimit të qeverisë Kurti me mocion mosbesimi.

“Pas mocionit të mosbesimit ndaj Qeverisë, do të ndërmarr hapat e përcaktuar në Kushtetutë. Në këtë drejtim, Ju ftoj që të merrni pjesë në takimin konsultativ për të diskutuar hapat e mëtejshëm. Takimi do të mbahet më datë 1.04.2020, duke filluar nga ora 10:00, në Kabinetin e Presidentit të Republikës së Kosovës”, shkruan në ftesën e Thaçit drejtuar Kurtit.