Foto: Urim Krasniqi/KALLXO.com

Kurti: Do të riformatohet dialogu me Serbinë

Kryetari i Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti, pas fitores së partisë së tij në zgjedhjet e 14 shkurtit, ka deklaruar se do të riformatojë bisedimet me Serbinë për t’i vënë të dyja palët në një pozicion të barabartë.

“Dialogu midis Serbisë dhe Kosovës duhet të ndryshojë vendet tona për mirë. Ne duhet të diskutojmë me Serbinë sinqerisht, hapur, seriozisht dhe me njerëzit si përfituesit përfundimtarë “, ka thënë Kurti sot për Agjencinë Franceze të Lajmeve (AFP).

Kurti shtoi se Kosova asnjëherë nuk e ka kushtëzuar Bashkimin Evropian.

“Serbia po kërkon një avantazh në Bruksel duke kërcënuar të kthehet drejt rivalëve të BE në Lindje. Ne kurrë nuk e kërcënuam BE-në dhe dikush tjetër u shpërblye”, tha Kurti më tej.

Tutje, Kurti theksoi se në qeverisjen e tij do të përqendrohet në përmbushjen e premtimeve të tij për “punë dhe drejtësi” për 1.8 milion njerëz të Kosovës.

“Nuk do të ketë kompromis për shkelësit e ligjit. Vendi ynë është i varfër dhe korrupsioni në vendin tonë është gati ta shndërrojë shtetin e dobët të Kosovës në një të dështuar”, shtoi ai më tej për AFP.

Sipas rezultateve preliminare të publikuara nga KQZ, LVV kryeson me 47,88 %, PDK me 17,36% ndërsa LDK me 13,08%.

Votat me kusht dhe ato që kanë arritur nga diaspora ende nuk janë numëruar.